Konferenca për të pagjeturit | Foto: KALLXO.com

Familjarë të të Pagjeturve Kërkojnë Përfundimin e Vuajtjeve

Disa ditë para takimit për të pagjeturit në Gjenevë të grupeve punuese të Prishtinës,  Beogradit dhe Kombeve të Bashkuara për Zhdukjen me Dhunë, në Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur familjarë të tyre treguan për ankthin e përditshëm me të cilin përballen.

“Për 18 vjet me radhë, çdo ditë është ditë agonie për secilin prej nesh. Gjithë këto vite ne kemi pritur lajm për familjarët tanë te zhdukur, madje disa prej nesh kanë dhënë më shumë se 30 deklarata nga 30 shtatori i vitit 1999 deri në vitin 2016 rreth ngjarjeve të zhdukjes së personave dhe çdo herë u është thënë se do të informohen rreth çdo zhvillimi , mirëpo ato ishin vetëm fjalë boshe”, tha Bajram Qerkini, njëri nga përfaqësuesit e familjarëve të të pagjeturve në Kosovë.

Qerkini më tutje shprehu brengën se disa nga familjarët e të pagjeturve po vdesin e ca të tjerë po plaken, pa arritur të gjejnë të afërmit e tyre të zhdukur nga viti 1998 e më tutje.

Në Kosovë të pagjetur nga lufta e viteve 1998-1999 janë ende 1658 persona.

Qerkini tregoi se në konferencën në Gjenevë do të marrin pjesë 6 përfaqësues të familjeve të të pagjeturve në Kosovë, ndërsa kërkoi angazhim për gjetjen e tyre.

“Ne nxisim autoritetet e Prishtinës dhe Beogradit si dhe komunitetin ndërkombëtar të marrin përgjegjësitë e tyre të plota dhe të veprojnë përfundimisht për të gjetur familjarët tonë”, tha Qerkini.

Në konferencën e sotme mori pjesë edhe përfaqësuesi i familjarëve të pagjetur serbë Milorad Trifunoviq,  i cili kërkoi nga Prishtina, Beogradi dhe komuniteti ndërkombëtar të caktojnë një përfaqësues të lartë me mandat dhe autoritet të mjaftueshëm të fuqishëm për t’i dhënë fund vuajtjes  dhe për të gjetur ata që mungojnë nga lufta e fundit.

Konferenca në Gjeneve ku do të marrin pjesë familjarë të të pagjeturve nga Kosova, përfaqësues të Grupit Punues të Kombeve të Bashkuara për Zhdukjet me Dhunë, ose të Detyrueshme dhe grupet punuese për persona të zhdukur nga Prishtina e Beogradi do të zhvillohet më 29 dhe 30 qershor.