Foto: Kallxo.com

Familja kërkon ‘burg të përjetshëm, i akuzuari për vrasje ‘vendim të paanshëm’

Në gjykimin për vrasjen e vitit të kaluar të Mentor Zekajt, ku akuzohet ish-shoku i tij, Kreshnik Haliti, gjatë seancës se sotme palët kanë dhënë fjalën përfundimtare të këtij shqyrtimi gjyqësor.

Gjatë fjalës përfundimtare, prokurori Ardian Hajdaraj, kërkoi nga trupi gjykues ta shpallë fajtor Kreshnik Halitin, pasi që sipas tij, në këtë shqyrtim gjyqësor është vërtetuar çdo pretendim i aktakuzës.

Prokurori Hajdaraj gjatë fjalës përfundimtare theksoi se aktakuza ka qenë e bazuar dhe e mbështetur ligjërisht.

“Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor është vërtetuar se aktakuza është e bazuar dhe ligjore. Gjithashtu është vërtetuar gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor edhe kryeja e veprës penale e të akuzuarit ashtu siç përshkruhet në aktakuzë”, tha prokurori Ardian Hajdaraj.

Ai kërkoi nga trupi gjykues që Kreshnik Haliti të shpallet fajtor për vrasjen e Mentor Zekajt për motive të borxhit dhe i njëjtit të dënohet komfor dispozitave ligjore.

Gjatë seancës se sotme fjalën përfundimtare e ka dhënë edhe Bajram Zekaj, babai i të viktimës. Ai nën ndikimin e emocioneve dhe lotëve tha se i akuzuari ia ka privuar djalin nga jeta në mënyrë mizore dhe të pabesë.

Ai kërkoi që i akuzuarit të dënohet edhe për veprën penale vrasje mizore. Për vrasjen e birit të tij, Bajram Zekaj tha se Kreshnik Haliti duhet dënuar me burgim të përjetshëm.

Si pasojë e emocioneve të shumta të Bajram Zekajt gjatë fjalimit të fjalës përfundimtare, trupi gjykues ndërpreu për 10 minuta gjykimin.

Edhe avokati i familjes Zekaj, Gëzim Kollçaku, mbështeti fjalën përfundimtare të prokurorit, derisa edhe ai kërkoi nga trupi gjykues që Kreshnik Haliti të dënohet edhe për vrasjen mizore të Mentorit.

Por, në anën tjetër, avokati mbrojtës i Kreshnik Halitit, Bahtir Troshupa, tha se fillimisht disa prova të aktakuzës duhet veçuar nga shkresat e lëndës, sepse sipas tij, nuk janë nxjerrë në mënyrë ligjore nga prokuroria.

Troshupa po ashtu i propozoi trupit gjykues që të bëhet edhe një super ekspertizë rreth rastit, sepse, sipas tij, ekspertët e mëhershëm asnjë konkluzion nuk e kanë pasur të mbështetur në diçka shkencore.

Avokati i Kreshnik Halitit, gjatë fjalës përfundimtare theksoi se vrasja ishte kryer me armën e viktimës, ndërsa i akuzuari këtë e ka bërë nga tronditja e thellë mendore, duke mos pasur mundësi për kontrollimin dhe gjykimin e veprimeve të tij.

E vetë i akuzuari, Kreshnik Haliti, gjatë fjalës përfundimtare tha se vrasjen nuk e ka bërë me paramendim dhe se gjithçka kishte ndodhur aty për aty pas fjalosjes në makinë me Mentor Zekajn.

Ai tha se në atë rast kishte pasur fat në fatkeqësi, sepse ishte i kërcënuar me pistoletë nga Mentor Zekaj.

Edhe shumën e borxhit për të cilin pretendon prokuroria dhe familja Zekaj, që Kreshnik Haliti ia kishte borxh Mentor Zekajt, i ka mohuar i akuzuari gjatë fjalës përfundimtare, njëjtë sikurse gjatë mbrojtës se tij të dhënë dy ditë me parë rreth këtij rasti.

https://kallxo.com/i-akuzuari-tregon-detaje-nga-momenti-i-vrasjes-ne-peje/

“Kërkoj nga trupi gjykues që vendimin ta merr të drejtë dhe të paanshëm. Çdo vendim të gjykatës do ta respektoj”, tha i akuzuari Haliti.

Kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri, njoftoi në fund të seancës se shpallja e aktgjykimit do bëhet me 4 korrik.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth këtij rasti.