Fakulteti i Mjekësisë dhe klinikat e QKUK-së në rrezik për mbyllje

Rreziku për mbylljen e Fakultetit të Mjekësisë së Universitetit të Prishtinës dhe Klinikave të QKUK-së si pasojë e mungesës së profesorëve të angazhuar në këto institucione, ka bërë menaxhmetin e Fakulteti të Mjekësisë t’i mbledhë krerët më të lartë shtetërorë për t’ua thënë hallin.

Në tryezën “Kriza e ekzistencës së Klinikave të QKUK-së si pasojë e mungesës së profesorëve në Fakultetin e Mjekësisë”, dekania Suzana Manxhuka- Kërliu shprehu brengën e saj për mos angazhim të profesorëve në Fakultetin e Mjekësisë.

“Shëndetësia ka avancuar në drejtim të ndarjes të sub-specializimeve dhe të themelimit të klinikave të veçanta dhe Universiteti nuk ka shkuar në atë drejtim të krijojë profesorë, jemi fajtorë të gjithë ndër vite. Nuk kemi profesorë për secilat klinika”, tha Manxhuka- Kërliu.

Gjatë kësaj tryeze, u prezantuan shifra ku tregonin se ekziston rreziku që në vitin 2021, Fakulteti i Mjekësisë  dhe klinikat e QKUK-së të mbesin pa asnjë profesor duke bërë kështu mbylljen e këtyre institucioneve arsimore dhe shëndetësore.

“Fakulteti i Mjekësisë është në gjendje kritike sa i përket stafit akademik krahasuar me vitet paraprake dhe në raport me vendet e rajonit. Kjo gjendje ka implikime serioze në ekzistencën e Klinikave të QKUK-së. Në këtë mënyrë rrezikohet akreditimi i këtyre Klinikave si Institucione të Mjekësisë Terciare. Rrjedhimisht, rrezikohet edhe ri akreditimi i FM në vitin 2021 meqë për tu akredituar duhet të ketë bashkëpunim me një Institucion të Mjekësisë Terciare siç është QKUK”, tha koordinatori për Zhvillim Akademik ne Fakultetin e Mjekësisë, Fisnik Kushumliu.

Ndërsa rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, vuri theksin në mungesën e buxhetit të Universitetit të Prishtinës për angazhim të stafit të ri akademik.

“Buxheti ynë është i vogël. Të nderura përfaqësues të Qeverisë ndihmonani ta rrisim buxhetin, ne numër të punëtorëve kemi mjaft. Nuk është problem numri por është problem buxheti sepse të gjithë e dimë se në buxhet janë dy faktorë, faktori i numrit që nuk është problem për ne mirëpo nuk kemi buxhet t’u ndajmë paga atyre”, tha rektori.

Të pranishëm në këtë tryezë ishin edhe ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi dhe ai i Shëndetësisë, Uran Ismaili të cilët pranuan se janë të gatshëm të ndihmojnë Fakultetin e Mjekësisë për të dal nga kjo krizë.

“Konsideroj që gjë e mirë do ishte si rekomandim është të formohet një grup punues në përbërje të universitetit, fakultetit, qeverisë përfshirë dy ministritë dhe të dalim me një propozim të qëndrueshëm ku na identifikohen edhe shkaqet pse ka ardhur deri në këtë gjendje e pastaj edhe zgjidhjet”, tha ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

E ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se duhet një mobilizim i gjerë në mënyrë që problemi i Fakultetit të Mjekësisë të ketë zgjidhje afatgjate.

“Nuk është në rregull që një vit pas lufte (viti 2000) ne të kemi 5 apo 6 profesorë në klinikë e sot 19 vite pas lufte ne të kemi rrezik për mbylljen e tyre. Kjo tregon se ne vërtet kemi bërë regres në këtë aspekt”, tha ministri Ismaili.

Ndërsa Luan Jaha, këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinajt, tha gjendja e krijuar në Fakultetin e Mjekësisë ka ardhur si pasojë e dy goditjeve, njëra nga marrëveshja e Bolonjës ku për shkak të kriterit të moshës janë përjashtuar shumë specialistë nga puna dhe tjera goditja nga rritja e pagave në arsim dhe caktimi i pagës primare.

“Goditja e parë është në vitin 2005 kur është bërë interpretimi i pamatur i kritereve të marrëveshjes së Bolonjës i cili ka qenë i bazuar vetëm në kushtin moshë dhe nuk ka marrë parasysh thirrjet shkencore, përvojën klinike, përvojën në mësimdhënie dhe as kriterin shkencor. Si pasojë e këtij interpretimi ne kemi larguar prej procesit mësimorë, specialista dhe sub-specialista, me thirrje magjistra te shkencave, me përvojë pune dhe kemi sjell njerëz pa specializime, pa punime, pa magjistratura dhe pa dokotratura me dhanë mësim”, tha Jaha.

Ndërsa, kryesuesja e Këshillit Drejtues të UP-së, Ardiana Bunjaku tregoi se bordi i UP-së ka marrë vendim për njohjen e orëve klinike për Fakultetin e Mjekësisë.

“Këshilli Drejtues duke e parë problematikën me të cilën është duke u përballë ky fakultet ne sapo e kemi kaluar një rregullore e cila më herët nuk ka qenë, d.m.th i kemi pranuar orët klinike. Në vend të gjashtë orëve të mësimit tash do i kenë tri orë të ligjëratave dhe gjashtë të tjera orë klinike”, tha Bunjaku.

Në këtë tryezë, menaxhmeti i Fakultetit të Mjekësisë rekomandoi që dalja nga kjo situatë bëhet duke integruar pagën mësimore me atë shëndetësore, paga të jetë e kategorizuar sipas kualifikimit profesional, gradës shkencore dhe thirrjes akademike si dhe për stafin akademik të Fakultetit të Mjekësisë të mos llogaritet plotësimi i normës së orëve si kusht për zgjedhje dhe avancim.