Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku - Foto: KALLXO.com

Fakte të Shpejta për Vushtrrinë

Bajram Mulaku po hyn në vitin e nëntë në krye të komunës së Vushtrrisë.

Ka bërë çka ka bërë, por për një gjë duket i dorëzuar: nuk do të premtojë më furnizim me ujë të pijshëm.

Vushtrria e tij është përballur me shumë telashe. Ja disa nga faktet e komunës së Vushtrisë:

Për tri mandate rresht, Bajram Mulaku ka premtuar ujë të pijshëm për banorët e Vushtrrisë. Tani është dorëzuar dhe thotë se nuk do ta premtojë më.

 

Në komunën e Vushtrrisë, janë shpërndarë subvencione për fermerë. Por ka ankesa se mjedrat, bletët dhe lopët që janë shpërndarë kanë qenë të sëmura.

 

Tri drejtori komunale të Vushtrrisë drejtohen nga femrat.

 

Kalldrëmi i hequr nga rrugë të Vushtrrisë është shitur në komunën e Skënderajt.

 

Kryetari Bajram Mulaku, gjatë debatit “Jeta në Komunë”, thotë se asamblistët në seancat e asambleve janë përgjithësisht të heshtur. “Po të pyesnin njëjtë si sot në debat, do ta kishim Vushtrrinë më të mirë, tha ai gjatë debatit.

 

Në Vushtri, 5000 persona kanë migruar gjatë valës së eksodit të kosovarëve në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti.

 

Në mesin e 5000 të migruarve nga Vushtrria, 552 janë nxënës.

 

Bajram Mulaku thotë se nga qytetarët që kanë migruar ka pasur edhe të atillë që kanë qenë të punësuar dhe me paga të mira por që, sipas tij, kanë rënë pre e grupeve të interesit.

 

Në mandatin e tretë të Bajram Mulakut, në Vushtrri nuk është ndërtuar asnjë çerdhe.

 

Asamblisti i AAK-së, Rrahim Ajeti akuzon Bajram Mulakun se i mashtroi disa asamblistë “me karamele”.

 

Hysni Gerguri i LDK-së thotë se Bajram Mulakut i ka rënë vonë ndërmend për ta ruajtur anticitetin e Vushtrrisë.

 

Vetëvendosje ka votuar kundër lirimit të firmave të Vushtrrisë nga taksat komunale. Mehmet Selaci thotë se e kanë bërë këtë për shkak se propozimi parashihte lirimin edhe të lojërave të fatit nga tatimi.

 

AAK-ja në Vushtrri i ka pasur 6 asamblistë në kuvend komunal. Pas zgjedhjeve e ka vetëm 1.

 

Strategjia zhvillimore për komunën e Vushtrrisë 2013-2018 ka paraparë që do të krijohen 3 zona ekonomike për këtë komunë. Sot nuk e ka asnjë.