Pamje nga samiti i Komisioneve parlamentare të Punëve të Jashtme të vendeve të Evropës - Foto: KALLXO.com

Fajon Lut Deputetët ta Ratifikojnë Demarkacionin

Deputetë e zyrtarë të lartë të vendeve evropiane janë mbledhur sot në Prishtinë në samitin e Komisioneve për Punë të Jashtme të parlamenteve të vendeve të Evropës.

Tema më e diskutuar ishte çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, ku u potencua edhe njëherë se kusht për lëvizjen pa viza janë ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi dhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Tanja Fajon, ka lutur deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta ratifikojnë Demarkacionin.

“Është shumë e rëndësishme që të përfundojmë procesin e liberalizimit të vizave. Kosova ka punuar shumë në luftën kundër korrupsionit por ka mbetur çështja e kufirit me Malin e Zi. I lus politikanët që mos t’i stopojnë hapat në këtë drejtim. Ju kisha lutur që ta zgjidhni çështjen e Demarkacionit. Bëni çmos që ta ratifikoni Demarkacionin”, tha në mes tjerash Fajon.

E kritik ndaj deputetëve kosovarë ishte edhe presidenti Hashim Thaçi. Sipas tij, BE-ja nuk mund ta ratifikojë Marrëveshjen.

“BE-ja nuk vjen në Kuvend me e votu Demarkacionin, por janë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës që duhet ta bëjnë këtë”, tha presidenti Thaçi.

Ai gjatë fjalimit të tij tha se shpreson që ditëve të ardhshme Kuvendi do ta ratifikojë Demarkacionin.

Sipas tij kjo vonesë e Bashkimit Evropian për t’i liberalizuar vizat për Kosovën po ndihmon lindjen e frymave fundamentaliste e nacionaliste.

“Kjo vonesë e BE-së po ndihmon në lindjen e disa frymave fundamentaliste e nacionaliste në Ballkanin Perëndimor”, tha në mes tjerash presidenti Thaçi.

Ai për fund ka kërkuar nga 5 vendet anëtare të BE-së që ta njohin shtetësinë e Kosovës, pasi që sipas tij edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka thënë fjalën e vet.

Ndërsa shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka falënderuar Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës që kanë miratuar agjendën evropiane. Sipas saj, politikanët kosovarë kanë çelësin për marrjen e liberalizimit të vizave.

“Politikanet e Kosovës e kane çelësin për t’i liberalizuar vizat. Që ta ratifikojnë demarkacionin dhe të punojnë në sundimin e ligjit. Ftoj pozitë e opozitë që të punojnë në këtë drejtim”, ka thënë Apostolova.

Ajo gjithashtu ka uruar institucionet vendore për reagimin në rastin e trenit serb dhe murit të ngritur në Mitrovicë.

“Incidenti me trenin dhe me murin në Mitrovicë ka paraqitur një tension dhe më vjen mirë që keni arritur ta kaloni me qetësi”, ka thënë ajo.

Ndërsa kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, e ka vlerësuar samitin e sotëm si synimin i përbashkët i shteteve të BE-së.

“Takimet e një formati të tillë janë shprehje e qartë e përkushtimit të përbashkët të vendeve tona për thellim të bashkëpunimit të gjithanshëm institucional, në funksion të agjendës evropiane të integrimit”, tha Veseli.

Ky samit është organizuar nga Komisioni parlamentar për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës. Ky samit do të zgjasë dy ditë.