Kreu i LSDM-së Zoran Zaev i përgjakur pasi u godit me mjet të fortë nga një protestues në Kuvend - Foto: Facebook

Evakuohen Deputetët dhe Gazetarët nga Kuvendi Maqedonas

Policia maqedonase ka krijuar një korridor të sigurt në Kuvendin e Maqedonisë prej ku ka nxjerrë deputetët dhe gazetarët që ishin ngujuar në ambientet e Kuvendit që nga momenti kur protestues të dhunshëm u futën aty dhe rrahën disa deputetë të LSDM-së dhe deputetë shqiptarë.

Ministri i Brendshëm i Maqedonisë, Agim Nuhiu, tha për kanalin “Alsat M” se të gjithë deputetët dhe gazetarët që gjendeshin ende brenda ndërtesës së Kuvendit janë nxjerrë në mënyrë të sigurt nga forcat policore.

Ndërkohë, Policia ka marrë situatën në dorë dhe përjashta objektit të Parlamentit ndonëse ende ka protestues gjendja është e qetë.

Protestuesit e dhunshëm, të cilët besohet se janë përkrahës të partisë VMRO DPMNE, u futën në sallën e Kuvendit pak momente pasi që deputetët e zgjodhën kryeparlamentar Talat Xhaferin, i pari shqiptar që merrte këtë detyrë.

Me këtë rast ata sulmuan me mjete të forta deputetë shqiptarë dhe të LSDM-së.

Në mesin e të lënduarve është edhe kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, si dhe deputeti shqiptar Ziadin Sela.

Dhunën kundër deputetëve të zgjedhur në mënyrë demokratike e kanë dënuar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Përmes një reagimi, Ambasada amerikane në Shkup ka thënë se dhuna e sontme është plotësisht e papranueshme.

Ambasada ka përshëndetur zgjedhjen e Talat Xhaferit në krye të Kuvendit të Maqedonisë “në një seancë të rregullt”.

http://kallxo.com/kosova-reagon-ndaj-kaosit-ne-shkup/