Erërat e forta lënë pa rrymë tri komuna të Kosovës

KEDS ka njoftuar se pas erarëve të forta tri komuna të Kosovës kanë mbetur pa energji elektrike.

Erërat e forta shkaktojnë prishje në Ferizaj, Mitrovicë dhe Gjilan.

“Erërat e forta kanë shkaktuar 11 prishje në rajonin e Ferizajt dhe 3 të tjera në Mitrovicë dhe dy në Gjilan, duke bërë që të afektohen një numër i madh i konsumatorëve, sidomos në Ferizaj”, thuhet në komunikatën e KEDS dërguar mediave.

Sipas njoftimit, ekipet e KEDS-it kanë dalë në të gjitha zonat ku ka prishje dhe janë duke i sanuar ato.

KEDS ka njoftuar edhe për zonat në të cilat ka prishje më të theksuara.

“Konkretisht në Ferizaj zonat pa energji elektrike janë një pjesë e qytetit, ajo e Gackës, Kraishës, Sllovisë, Jezercit dhe disa zona përreth, Kaçanikut,  ndërsa në rajonin e Mitrovicës zona problematike të afektuara janë ajo e Shipolit dhe pjesa e Skënderajt, sidomos Likovci dhe Qirezi me rrethinat përkatëse. Dy prishjet në rajonin e Gjilanit janë daljet e Kufcës dhe Stubllës”, thuhet tutje në njoftim.

KEDS kërkon nga të gjithë konsumatorët që nëse shohin ndonjë prishje të mos u ofrohen, të mbajnë distancën e sigurisë dhe të lajmërojnë çdo prishje në Qendër të Thirrjeve në numrin 0800 79100 që është pa pagesë apo përmes formave tjera të komunikimit, siç janë rrjetet sociale zyrtare të kompanisë.