Recep Tayyip Erdogan - Foto: REL/Reuters

Erdoganit i Hapet Rruga për Forcimin e Pushtetit

Parlamenti i Turqisë ka miratuar sot ndryshimet e ligjit zgjedhor, për të cilat kritikat këmbëngulin se kanë për qëllim që të ndihmojnë Presidentin Recep Tayyip Erdogan që të forcojë edhe më shumë pushtetin e tij.

Ndryshimet u miratuan pas debatit maratonik, në të cilin pati grindje të ashpra mes pjesëtarëve të pozitës dhe të opozitës. Në Turqi vitin e ardhshëm do të zhvillohen zgjedhje, ndërsa Erdoganit i nevojitën 51 për qind të votave, për të qëndruar në krye të shtetit. Ndryshimet i mundësojnë partisë së Erdoganit në pushtet që të hyjë në aleancë formale me Partinë Nacionaliste, e që asaj do ti siguronte mandate në Parlament, edhe nëse nuk e kalon pragun zgjedhor prej 10 për qind të votave. Në shkëmbim, Erdogani do të siguronte mbështetjen e nacionalistëve. Në anën tjetër, forcat turje kanë vazhduar operacionet në qytetin e Afrinit, në veri të Sirisë, të cilin e kanë rrethuar në tërësi, njoftoi ushtria turke. Me afrimin e forcave turke, me mijëra njerëz filluan të arratisën nga qyteti, i cili kontrollohet nga njësitë kurde. Sipas Observatorit Sirian për të Drejta të njeriut, ushtria turke ka rrethuar Afrinin, mbi 90 fshatra dhe një qytet tjetër të afërt dhe se tani nën rrethim po mbahen mbi 700 mijë banorë. Ushtria turke ofensivën kundër rajonit të Afrinit e ka filluar në janar. Rajoni kontrollohet nga njësitë kurde, të cilat Ankaraja i cilëson si njësi terroriste, të lidhura me kryengritësit kurdë në Turqi.