Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan - Foto: REL/AP

Erdogan shpall fitoren në zgjedhjet presidenciale

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka shpallur fitoren në zgjedhjet presidenciale të së dielës në Turqi ku tha se partia e tij në pushtet dhe partneri i saj i aleancës kanë fituar shumicën parlamentare.

Megjithatë, zyrtarë nga partia kryesore e opozitës thanë se është shumë herët për të pranuar humbjen dhe kanë shprehur besimin se Erdogan nuk do të mbërrijë ta marrë 50 për qind të votave duke shpresuar kështu për të shkuar në balotazh.

“Unë shpresoj se askush nuk do të përpiqet të hedh një hije të zezë mbi rezultatet dhe të dëmtojë demokracinë në mënyrë që të fshehin dështimin e tyre”, tha Erdogan në deklaratën e tij ku shpalli fitoren në zgjedhjet.

Me 96 për qind të votave të numëruara në garën presidenciale, Erdogan ka marrë 53 për qind, të votave raportojnë mediat turke, rezultat ky që shmang balotazhin.

Në vend të dytë është Muharrem Ince, i cili ka siguruar 30.79 për qind të votave. I treti është Selahattin Demirtash – i cili aktualisht ndodhet në burg – me 8.03 për qind të votave./21Media