Recep Tayyip Erdogan - Foto: REL/Reuters

Erdogan Nuk Zmbrapset Nga Operacioni Anti-Kurd në Siri

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se nuk do të zmbrapset nga operacioni kundër një enklave të udhëhequr nga kurdët, në veri të Sirisë, i cili ka shkaktuar shqetësim tek aleatët e Ankarasë.

Erdogan i bëri komentet të hënën, në ditën e tretë të ofensivës, përkundër paralajmërimeve të SHBA-së se operacioni mund të destabilizojë tutje zonën.

Mediat turke thanë se trupat, të shoqëruara nga rebelët aleatë sirianë, kanë kapur disa zona përreth qytetit Afrin.

“Jemi të vendosur, Afrini do të zgjidhet”, tha Erdogan në një adresim të drejtpërdrejtë televiziv në Ankara. “Kemi folur për këtë ofensivë edhe me miqtë tanë rusë; kemi marrëveshje”, tha Erdogan.

Milicia kurde, e cila kontrollon një pjesë të madhe të territorit në verilindje të Sirisë, cilësohet nga Ankaraja si grup terrorist dhe si degë e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.

Kjo e fundit ka luftuar për autonominë kurde në Turqi për tri dekada. (REL)