Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan - Foto: REL/AFP

Erdogan i Shqetësuar për ‘Matjen e Forcës’ në Siri

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan u shpreh sot i shqetësuar nga “matja e forcës” mes fuqive të huaja për çështjen e Sirisë, ndërkohë që tensionet janë rritur mes Washingtonit dhe Moskës, pas kërcënimeve për sulme amerikane të mundshme.

“Ne jemi shumë të shqetësuar nga fakti që disa vende mbështeten në forcën e tyre ushtarake për të transformuar Sirinë në terren për të matur forcën”, deklaroi Erdogan gjatë një fjalimi televiziv në Ankara.

Sipas një burimi në presidencën turke, presidenti zhvilloi më pas një bisedë telefonike me homologun rus, Vladimir Putin.

“Dy liderët ranë dakord për të qëndruar në kontakt të ngushtë”, shtoi i njëjti burim, pa dhënë detaje të tjera.

Ndryshe, presidenti turk dje zhvilloi një bisedë telefonike me homologun amerikan, Donald Trump, për të diskutuar për krizën në Siri.

Një sulm kimik i dyshuar, i kryer në Goutan Lindore, pranë Damaskut ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra personave dhe një reagim ndërkombëtar./21Media