Recep Tayyip Erdogan - Foto: REL/Reuters

Erdogan dhe partia e tij prijnë në zgjedhjet në Turqi

Recep Tayyip Erdogan prin në zgjedhjet presidenciale të Turqisë, raporton agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.

Me 62% të votave të numëruara nga zgjedhjet e së dielës, Erdogan ka 56% të tyre, ndërsa rivali i tij më i afërt, Muharrem Ince, ka 29%.

Nëse Erdogan fiton mbi 50% të votës së përgjithshme, ai do të shpallet fitues dhe do të shmangë rrethin e dytë të votimeve.

Të dielën, në Turqi u mbajtën edhe zgjedhjet parlamentare. Edhe në këto votime prin Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e Erdoganit (AKP).

AKP udhëheq me 46% të votave nga 51% të numëruara deri më tash, ndërsa opozita kryesore, Partia Popullore Republikane, ka 20%.

Pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje ishte e lartë – gati 87%, tha transmetuesi shtetëror.

Kampi i Inces tha se agjencia Anadolu po manipulon dhe se po publikon së pari rezultatet nga zonat pro-Erdogan.

Turqia mbetet në gjendje të jashtëzakonshme, e cila është vënë që pas përpjekjes për grushtshtet atje, në korrik të vitit 2016.

Këto zgjedhje fillimisht kanë qenë të parapara për nëntor të vitit 2019, por janë sjellë më herët nga Erdogan.

“Turqia po kalon në një revolucion demokratik me këto zgjedhje”, tha Erdogan pasi votoi në Stamboll.

Zgjedhjet u mbajtën nën masa të rrepta të sigurisë. Vetëm në Stamboll, mbi 38 mijë policë kanë qenë në detyrë.

Shqetësime për kërcënimin e mundshëm të votuesve ka pasur sidomos në zonat juglindore të Turqisë, ku vota kurde është çelës i rezultatit.

Aktivistët e të drejtave të njeriut po ashtu kanë thënë se mediat nuk kanë qenë të lira për të raportuar për të gjitha palët.

Sipas grupeve monitoruese, nën sundimin e Erdoganit, Turqia është bërë vendi që ka burgosur më së shumti gazetarë në botë. (REL)