Erdhi me pantollona të shkurtër, i akuzuari për grabitje nuk lejohet në seancë

Një seancë gjyqësore lidhur me grabitjen e 1 mijë e 200 eurove dështoi për shkak të mungesës së shumë akterëve të rastit.

Dy dëshmitarë të paraparë të dëshmonin munguan, ndërsa i akuzuari nuk u lejua të futet në sallë për shkak të veshjes së palejuar në gjykatë, përkatësisht pantollonave të shkurtër.

Në gjykimin ndaj Jetmir Kurhaskut, i akuzuar nga Prokuroria për grabitje, sot pranë gjykatës së Gjakovës, ishte planifikuar të ndëgjohen dy dëshmitarë.

Mirëpo, mungesa e dëshmitarëve Emrush Riza dhe Gëzim Vula, bëri që seanca e sotme të shtyhej për një kohë të pacaktuar.

Kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu me anëtarët Myfera Hoxha dhe Ilir Rashkaj theksuan se do të lëshojnë urdhëresë për sjelljen e dy dëshmitarëve joprezentë.

Prokuroria po akuzon Kurhaskun, për grabitjen e 1200 eurove nga punëtorja Albina Kida në ordinancën gjinekologjike “Arba”, me pronare Aida Kumnova

Prezent në sallë të gjykimit ishte vetëm e dëmtuara Albina Kida, po jo edhe pronarja e ordinancës Aida Kumnova, e cila kishte shkuar në pushime pa e njoftuar gjykatën.

Poashtu mungonte edhe i akuzuari, pasi që i njëjti kishte ardhur në gjykatë me pantolla të shkurtër dhe të njëjtin gjyqtari Gëzim Pozhegu, nuk e pranoi në sallë.

Kallxo.com kishte raportuar edhe më herët për këtë rast.

Kurhasku i cili po akuzohet për grabitjen e 1 mijë e 200 eurove nga ordinanca gjinekologjike “Arba”, me pronare Aida Kumnova, në Gjakovë, ishte deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktauzës, Kurhasku në vitin 2015 në ordinancën gjinekologjike të Aida Kumnovës, kishte hyrë i maskuar.

Aktakuza shpjegon se i akuzuari Jetmir Kurhasku, me një maskë të zezë dhe nën kërcënimin e armës, me forcë ia merr shumën prej 1200 euro nga punëtorja Albina Kida dhe i njëjti ka ikur.