Foto: ERA/Facebook

ERA: Kafsha e vrarë në Ferizaj nuk është rrëqebull por mace e egër

Organizata ‘Environmentally Responsible Action’ (ERA) ka reaguar pas lajmeve të ndryshme për vrasjen e një kafshe të egër në Fërizaj.

Kjo organizatë përmes një publikimi në Facebook ka treguar se kafsha e vrarë është mace e egër dhe jo rrëqebull.

Kjo është deklarata e plotë e ERA:

“Qytetarë të nderuar. Miq të natyrës.

Për shkak të interesimit të madh të publikut dhe pyetjeve të shumta që sot pranuam  nga qytetar të shumtë  lidhur me lajmin e vrasjes së Rreqebullit në komunën e Ferizajt  ju sqarojm që lajmi i bujshëm mbi vrasjen e Rreqebullit  nuk është i vërtet”, thuhet në publikimin e ERA-s.

Pra është vrarë një mace e egër e jo Rrëqebull.

Tutje në publikimin e ERA-s thuhet se edhe vrasja e maces së egër është vepër penale.

“Po ashtu edhe macja e egër është e mbrojtur me ligjet e Republikës së Kosovës, vrasja e saj  përbën vepër penale. Në tërë territorin e Republikës së Kosovës deri më tani prezenca e Rreqebullit  duke u bazuar në studime e kërkime intenzive përgjatë shumë viteve të organizatës ERA është vërtetuar vetëm në Bjeshkët e Nemuna duke numëruar vetëm dy të tillë”, thuhet në publikim.

Rreqëbulli Ballkanik është shtazë e kërcënuar nga zhdukja. Hipotetikisht mendohet që në natyrë në planetin tonë të jenë 35 deri në 40 individ të tillë.

Këtë vit bëhen 5 vite që ERA inventarizon kafshët e egra me fokus rrëqebullin ballkanik.

Në vitin 2015, ERA në kuadër të programit të BLRP ka konfirmuar ekzistencën e rrëqebullit në Kosovë.

Deri tani janë konfirmuar vetëm dy individë. Sezoni 2018-19 i programit të monitorimit do të filloj në muajin tetor.

‘Environmentally Responsible Action’ (ERA) është një organizatë joqeveritare me seli në Pejë. Si mision ka ngritjen e vetëdijes mjedisore, ndërgjegjësimit dhe përgjegjësisë së rinisë dhe komunitetit të Kosovës. Programi Vjetor i Punës së ERA-s 2018 për Mjedisin, mbështetet përmes një granti operacional nga Bashkimi Europian.