Enver Hoxhaj, Zëvendës Kryeministër. Foto: mfa-ks.net

Enver Hoxhaj: Deklaratat e Rusisë për Hetimet për Vrasjen e Ivanoviqit, Destruktive

Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se pretendimet e Moskës që “Kosova dhe sponsorët e saj kanë diçka për të fshehur” në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit janë përzierje destruktive nga ana e Rusisë.

Gjatë ditës, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, kërkoi që autoritetet e Serbisë të përfshihen në ekipin hetues të vrasjes së 16 janarit të politikanit serb në Mitrovicën e Veriut.

Por Enver Hoxhaj tha për BIRN se këto deklarata “janë përpjekje për të ndërhyrë në punët e brendshme të Republikës së Kosovës, dhe për ta dëmtuar kredibilitetin e institucioneve të drejtësisë në Kosovë”.

“Këto deklarata janë qëllimkëqija dhe destruktive të cilat nuk e kanë në fokus drejtësinë por destabilitetin. I tillë ka qenë çdo herë roli i Rusisë në raport me Kosovën dhe rajonin. Ballkani Perëndimor mbetet politikisht, gjeografikisht dhe historikisht një rajon evropian i përkushtuar për integrimin në BE, NATO dhe strukturat tjera eurotlantike”, tha Hoxhaj.

“Sikurse e kemi theksuar si qeveri, çfarëdo deklarate politike është e dëmshme dhe e papranueshme”, nënvizoi Zëvendës Kryeministri i Kosovës.