Mungon i Akuzuari në Gjykimin e Enver Hasanit

Në gjykatë u tha se Rakipi mungon ngase nuk ndihet mirë me shëndet, pastaj gjyqtarja Afërdita Bytyqi mori vendim që ta ndërpresë seancën për mungesë të të akuzuarit.

Ish-rektori i Universitetit të Prishtinës Enver Hasani së bashku me Haki Veliun dhe Albert Rakipin po akuzohen për mashtrim lidhur me përkthimin e disa librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe për nevojat e UP-së.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Hakif Veliu si shef i Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN), si persona zyrtarë dyshohet se kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008.

Në kontratë vlera e saj ishte përcaktuar 500 mijë euro, ndërsa çmimi i pagesës për njësi -1000 fjalë 12.65 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës së prokurorisë, të pandehurit sipas marrëveshjes paraprake kanë lidhur një kontratë të re në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit për njësi-1000 fjalë 12.65 euro, kanë shënuar çmimin për njësi -1000 karaktere 12.65 euro.

Në aktakuzë pretendohet se ky ndryshim çmimi i ka mundësuar përfitim më të madh Institutit për Studime Ndërkombëtare.

Në dhjetor të vitit të kaluar Enver Hasani, Hakif Veliu e Albert Rakipi u deklaruan të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

http://kallxo.com/enver-hasani-deklarohet-i-pafajshem/

Seanca e radhës u caktua më 9 mars.

Enver Hasani po përballet edhe me një aktakuzë tjetër për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim gjatë kohës sa kryente detyrën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Bëhet fjalë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e konsideron në pajtim me Kushtetutën vazhdimin e mandatit të 3 gjyqtarëve ndërkombëtarë të kësaj gjykate.

Në lidhje me aktakuzën si kryetar i Kushtetueses, Prokuroria Speciale e Kosovës pranoi një aktvendim nga një trup gjykues i Gjykatës Themelore të Prishtinës, sipas të cilit Enver Hasanit i njihej imuniteti funksional si dhe refuzohej kërkesa e prokurorisë për dëgjimin në cilësinë e dëshmitarit të gjyqtarit ndërkombëtar të Gjykatës Kushtetuese Robert Carolan.

Ndaj këtij vendimi të Gjykatës Themelore në Prishtinë u ankua Prokuroria Speciale.

http://kallxo.com/specialet-ankohen-per-enver-hasanin/

Gjykata Themelore në Prishtinë tha se ende nuk konsiderohet e përfunduar kjo aktakuzë.

http://kallxo.com/gjykata-asgje-nuk-ka-perfunduar-rreth-aktakuzes-ndaj-enver-hasanit/

për aktakuzën që lidhet me gjyqtarët ndërkombëtarë të Kushtetueses, emisioni “Jeta në Kosovë” zhvilloi një debat në janar të këtij viti.

http://kallxo.com/jeta-ne-kosove-per-aktakuzen-ndaj-enver-hasanit/ [interaction id=”56c59358b6c51fb652e873ca”]