Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi konsultohen mes tyre | Foto: KALLXO.com

Enigmat e takimit të mbrëmshëm Thaçi- Mustafa

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka takuar mbrëmjen e së mërkurës kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

Takimi u njoftua se ka ndodhur në shtëpinë e Mustafës.

LDK-ja pati thënë se gjatë takimit, presidenti Thaçi e ka njoftuar Mustafën rreth vizitës së sotme të dy zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe për kërkesat e tyre drejtuar koalicionit qeveritar.

Ndërkaq, zëdhënësi  i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë për KALLXO.com, se nuk ka detaje të tjera nga takimi i mbrëmshëm mes Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës.

“Nuk ka detaje të tjera përveç asaj që kemi deklaruar. Për çdo zhvillim të ardhshëm unë njoftoj me kohë, por nuk kemi asnjë detaj tjetër përtej asaj që kemi thënë dje. Presidenti Thaçi ka kërkuar një takim me kryetarin Mustafa për ta njoftuar për takimin me dy zyrtarët amerikanë dhe për kërkesat e tyre ndaj koalicionit qeverisës. Sinqerisht nuk kemi asnjë detaj tjetër”, ka thënë zëdhënësi i LDK-së.

Presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj janë takuar dje me drejtorin kryesor për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, John Erath, si dhe me drejtorin për Ballkan të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së ShBA-së, Brad Berkley.

Ndërkaq, takime me zyrtarët e lartë amerikanë janë zhvilluar edhe sot në Presidencë të Kosovës, ku ka marrë pjesë edhe Ekipi Negociator.

Këtë e ka konfirmuar bashkëkryesuesi i Delegacionit shtetëror Fatmir Limaj.

Ai ka bërë të ditur se zyrtarët amerikanë kanë kërkuar pezullimin e taksës ndaj produkteve të Serbisë.

 

https://kallxo.com/presidenti-thaci-i-shkon-ne-shtepi-isa-mustafes/

 

https://kallxo.com/zyrtaret-e-larte-te-shba-se-kerkojne-pezullimin-e-takses/

.