Enes Goga, Fuad Ramiqi e hoxhallarë të tjerë të pafajshëm në akuzat për terrorizëm

Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës duke vërtetur kështu aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës me të cilin  ishin liruar si të pafajshëm imamët e akuzuar.

Kësisoj, të akuzuarit Bedri Robaj, Idriz Bilibani, Enes Goga, Mazllum Mazllumi dhe Fuad Ramiqi janë liruar përfundimisht nga akuzat që rëndonin mbi ta.

“Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 18.05.2018”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Me anë të këtij aktgjykimi, të akuzuarit Bedri  Robaj, Idriz  Bilibani, Enes . Goga,  Mazllum  Mazllumi  dhe Fuad  Ramiqi,  janë liruar nga akuza dhe atë: Bedri  Robaj  dhe Idriz  Billibani, për shkak të veprës penale, për secilën veç e veç, “Shtytja në kryerjen e veprës terroriste”.

Të akuzuarit Enes  Goga  dhe Mazllum  Mazllumi, për shkak të veprës penale, për secilin veç e veç, “Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar etnik”  Si dhe i akuzuari Fuad Ramiqi për shkak të veprës penale “Thirrje për rezistencë”

Ndaj të akuzuarve është shpallur aktgjykimi lirues me arsyetimin se me provat e procedura në shqyrtimin gjyqësor nuk është vërtetuar se në veprimet e të akuzuarve përmbushën elementet e veprave penale në fjalë.

Gjykata e Apelit, pasi ka shqyrtuar ankesat e prokurorisë por edhe sipas detyrës zyrtare  konstaton se aktgjykimi i shkalles se parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, dhe se në mënyrë të drejtë dhe të plotë është vërtetuar gjendja  faktike.