Foto: RTV 21

Ende Nuk Dihen Arsyet për Vrasjen në Reçicë të Vogël

Prokuroria Themelore Publike e Maqedonisë ka deklaruar se shkaqet për vrasjen e mbrëmshme në Reçicë të Vogël, ku një person është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur, janë ende të panjohura.

Prokuroria njofton se nga Gjykata Themelore e Tetovës është kryer ekspertizë në vendin e ngjarjes, së bashku me një ekip të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).

“Janë mbledhur faktet dhe shenjat në vendin e ngjarjes, kurse është urdhëruar edhe ADN testi për obduksion të të vrarit, përfshi marrjen e shenjave të substancave shpërthyese”, sqaroi prokuroria.

Gjithashtu edhe nga SPB-ja në Tetovë njoftojnë janë ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e tërësishme të detajeve, personave të përfshirë, rrethanat në të cilat ndodhi përplasja me armë dhe motivet e saj.

“Nga Sektori për Punë të Brendshme të Tetovës, u lokalizuan dhe u ndaluan 2 persona, B.R, (41 vjeçar) dhe L.B. (40 vjeçar) nga Elbasani i Republikës së Shqipërisë për shkak të dyshimeve të përfshirjes së tyre në këtë ngjarje”, njoftoi policia.

Policia tregoi se te të ndaluarit u gjetën armë.

Në automjetin në të cilën udhëtonin u gjetën armë zjarri, 2 pistoleta, të cilat janë konfiskuar dhe janë mjet i ekspertizës policore”.

Nga SPB-ja në Tetovë gjithashtu thuhet se po punohet ende për këtë rast./21Media