Stefan Cvetkoviq - Foto: REL/Medija Centar Beograd

Ende asnjë informacion për rastin e zhdukjes së gazetarit serb

Prokuroria në Serbi nuk i ka publikuar ende rezultatet e para të hetimeve në lidhje me zhdukjen e gazetarit serb, Stefan Cvetkoviq.

“Bëhet fjalë për mbledhjen e të gjitha fakteve relevante. Pastaj priten rezultatet e ekspertizës, pas të cilave do të merren masa të tjera”, tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë Tihomir Knezheviq, prokuror i Prokurorisë Themelore Publike në qytetin Vërshac.

Gazetari Stefan Cvetkoviq u zhduk në natën ndërmjet 13 dhe 14 qershorit në qytetin Bella Cërkva.

Policia lokale konfirmoi se makina e tij u gjet e parkuar me dyer të hapura dhe drita të ndezura.

Ai u gjet gjallë nga policia serbe më 15 qershor.

Në të njëjtën ditë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ministri serb i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq, thanë se gazetari ka një “rrëfim të çuditshëm”.

Cvetkoviq është ankuar vazhdimisht se ka marrë kërcënime me vdekje, derisa në vitin 2008 është rrahur nga sulmues të panjohur.

Në kohën e fundit, ai ka përcjellë hetimet për vrasjen e politikanit serb në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviq. (REL)