Ende Asnjë Detaj Zyrtar për Arrestimin në Japoni

Ramadan Sejdiu, drejtor për monitorimin e ndërmarrjeve publike në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, është arrestuar nga policia japoneze, në një qytet jug të Japonisë, përderisa po merrte pjesë në një trajnim.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Naim  Zeqiri, zyrtar për informim në këtë Ministri.

Zeqiri tha se Ministria nuk është në njohuri në lidhje me arsyen e arrestimit, dhe as për kohen se kur Sejdiu është arrestuar nga policia japoneze.

“Nuk ka as një informacion…  S’kemi pasur kontakt me z. Sejdiu prej datës kur ka shkuar në Japoni, çdo kontakt me të ka shku përmes ambasadës së Kosovës në Japoni”, tha Zeqiri.

Sipas tij, me këtë çështje është duke u marrë Ministria e Punëve të Jashtme përmes ambasadës në Tokio.

Sipas Zeqirit, asnjëherë nuk ka pasur ankesa në lidhje me sjelljen e z. Sejdiut, as gjatë punës në Kosovë, dhe as gjatë udhëtimeve të tij jashtë vendit.

I pyetur për këtë çështje edhe Petrit Selimi, zëvendës ministër i Punëve të Jashtme në Kosovë, ka thënë se nuk është në njohuri me rastin.

“Unë të gjitha informatat i kam nga mediat, dhe në atë që po thuhet në media dhe asgjë më shumë nuk di”, tha dje zëvendësministri Selimi.

As Agjencia qeveritare Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), e cila e ka organizuar këtë trajnim nuk ka dashur të flasë për këtë rast.

“Ne aktualisht po mbledhim informatat prandaj nuk mund të themi asgjë për momentin”, thuhet në një përgjigje të kësaj agjencie për KALLXO.com.