Policia konfiskon 13 paketime me substance narkotike të llojit marihuanë

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, njësia rajonale Prishtinë ka konfiskuar 14 kilogram substancë narkotike e dyshuar si marihuanë.

Sipas njoftimit të Policisë, zyrtarët policor sot rreth orës 08:00 kanë tentuar të ndalojnë për kontrollë dy vetura të dyshuara, njëra “Golf” me targa të Kosovës dhe vozitës (E. R.) dhe tjetra “Audi A6” me targa italiane dhe vozitës (B. G.) që po lëviznin nga Prishtina për në Gjilan.

Në raportin policor potencohet se, pasi të dyshuarit kishin vërejtur policinë kishin filluar ikjen nëpër rrugë malore dhe më pas dyshohet të jenë ndaluar për të hedhur gjëra të dyshimta nga veturat.

Tutje policia thekson se njëri nga të dyshuarit, për të ju shmangur arrestimit u kishte drejtuar një armë zyrtarëve policorë.

Policia me këtë rast ka përdorur armën zyrtare në drejtim të dyshuarit, pa pasoja për njerëz, por me një dëm në dritat e automjetit.

Pas këtij aksioni, njëri nga zyrtarët policor ka pësuar lëndim të lehtë në gjunjë.

Në raportin policor thuhet se të dyshuarit kanë ikur nga vendi duke lënë prapa veturat e braktisura.

Me urdhër të prokurorit është bërë kontrollimi i shtëpive të dyshuarëve në fshatin Dobërdol dhe Dobratin ku janë konfiskuar dëshmi si: dokumente të ndryshme, vetura Golf, vetura BMË me targa sllovake dhe vetura gjip Mitsubishi.

Në lidhje me këtë rast është kontaktuar prokurori i krimeve të rënda në Prishtinë i cili ka udhëzuar që të hapen rastet “Vrasje e rëndë në tentativë, blerje posedim, shitje dhe shpërndarje e narkotikëve dhe shfrytëzim i paautorizuar i armëve”.

Policia njofton se janë në kërkim të dy personave të cilët janë të njohur për policinë, si të dyshuar të përfshirë edhe në dy raste të mëhershme ku janë arrestuar edhe 6 persona të tjerë.