Arrestim i një të dyshuari nga Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Pejë, arrestohet i dyshuari për vrasje në tentativë që ishte në arrati

Sot rreth orës 14:00, Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin që ndodhej në arrati për veprën – vrasje në tentativë, që ka ndodhur më 24 mars.

Në raport thuhet se më 24 mars, pas raportimeve për incidentin në rrugën “Papa Klimenti” Policia kishte dalë në vendin e ngjarjes ku kishte takuar viktimën dhe dëshmitarin. Sipas tyre viktima kishte dalë nga vetura për t’u sqaruar me të dyshuarin pas një zënke të rastit dhe papritur i dyshuari kishte shtënë me armë zjarri, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Viktima ishte dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin rajonal në Pejë dhe nga aty, për shkak të lëndimeve, ishte dërguar në QKUK në Prishtinë.

Sipas Policisë, pas një pune intensive, sot më 6.5.2021 rreth orës 14:00, është arritur të identifikohet dhe arrestohet i dyshuari (L.L. i lindur më 2002), i cili ishte në arrati si dhe është konfiskuar arma me te cilën dyshohet se është kryer vepra.

I dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë.