Intensifikohen aksionet e Policisë, katër të arrestuar për fajde

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arritur të arrestojë katër persona , në kuadër të aksioneve të intensifikuara për ‘fajde’ dhe ‘detyrim’.

Në njoftimin e Policisë thuhet se të arrestuarit janë nga rajoni i Prishtinës.

“Operacioni policor ka filluar me datë 23.8.2019 në ora 14:30 në dy lokacione, me përkrahjen e NJSO-së  në Prishtinë  dhe një njësi nga Drejtoria e Krim -Teknikës.

Gjatë këtij operacioni  janë sekuestruar:  një (1) revole tipi ‘berandeli’ 7.65mm një karikator me pesë (5) fishekë, një (1) veturë, një DVR dhe disa dokumentacione relevante për rastin.

I dyshuari i parë nuk është gjetur në shtëpi andaj i njëjti është në kërkim policor, kurse i dyshuari i dytë është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit ishte dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje në njoftim thuhet se Policia ka arritur ta arrestojë edhe të dyshuarin e dytë në ditën e nesërme, ku i njëjti është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme.

Ndërsa me 24 gusht, Policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë si të dyshuar të implikuar në rastin e përmendur, kurse hetimet janë ende në proces.

“Qëllimi i këtyre operacioneve policore është identifikimi, parandalimi, hetimi dhe arrestimi i të dyshuarve që në çfarëdo mënyre janë të inkriminuar me vepra penale të fajdesë dhe detyrimit”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës gjithashtu iu ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë bashkupunimet me policinë dhe ka vënë në dispozicion dy numra të telefonit: 038 504 504 1677 dhe 044 504 298, me qëllim të sensibilizimit dhe avancimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit me qytetarë.