Hani i Elezit (ilustrim). Foto: Kallxo.com

Arrestohen dy të rinj dhe një i mitur për vjedhje të rëndë

Të dyshuarit A.Z., 22 vjeç dhe S.F., 24 vjeç bashkë me një të mitur janë arrestuar nën dyshimin se kanë vjedhur 4 mijë euro, ka bërë të ditur Policia në rajonin e Ferizajt.

Stacioni Policor i Hanit të Elezit ka njoftuar se kanë identifikuar këta tre persona, të dyshuar për veprën penale të vjedhjes së rëndë.

Sipas njoftimit, të dyshuarit, më 7 dhjetor 2020, rreth orës 03:00, kanë hyrë me forcë në lokalet e një qendre tregtare.

Ata kanë arritur të marrin 4 mijë euro nga kasaforta, të cilët më pas janë larguar në drejtim të panjohur.

Por, hetuesit e Stacionit Policor të Hanit të Elezit, pas një pune të suksesshme kishin arritur që t’i arrestojnë.

Pas intervistimit, atyre u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.