Viti

Të dielën komuna e Vitisë ishte kapluar prej një entuziazmi, si rezultat i mbajtjes së debatit ku u ndeshën kandidatët për kryetarë komune. Këtë gjë e dëshmoi numri i madh i qytetarëve që prisnin para Shtëpisë së Kulturës për t’u futur në sallë, të dielën.

Garës për Vitinë i kanë hyrë gjashtë kandidatë të subjekteve dhe profesioneve të ndryshme. Mes tyre ka dy agronomë,një gazetar, një inxhinier dhe një ushtarak e piktor njëkohësisht.

Përveç kryetarit dhe kandidatit për kryetar të PDK-së Nexhmedin Arifit, për kreun e Vitisë konkurrojnë edhe Blerim Halabaku i AKR-së, Emanuel Demaj i PShDK-së, Hafir Hoxha i AAK-së, Salih Salihu i LVV-së dhe Sokol Haliti i LDK-së.

Tiparet e kandidatëve

Kandidati Blerim Halabaku nga subjekti politik AKR, i cili sipas bashkëshortes së tij ndonëse nuk merret asnjëherë me punët e shtëpisë, gjithmonë përgatit kafen e mëngjesit vetëm. Plani i tij anonte kah strategjia ekonomike për përmirësimin e infrastrukturave të degraduara shkollore . Mes tjerash ai theksoi se ka në plan ndërtimin e një çerdheje tjetër publike për gjithsej 50 fëmijë, meqë një çerdhe publike në komunën e Vitisë nuk është e mjaftueshme.

Kandidati më i ri i kësaj gare, Emanuel Demaj i PShDK-së me profesion të gazetarit, theksoi se përvoja e tij si gazetar ka kontribuar që të njihet tejet mirë me problematikat e vendit, problematika këto që nuk i kursejnë banorët. Ai premtoi 4 mijë vende pune gjatë mandatit katërvjeçar.

Hafir Hoxha kandidati që garon për subjektin politik AAK ka ardhur nga diaspora për garën. Ai me familjen e tij jeton në Lozanë të Zvicrës dhe si i tillë bart me vete me një bagazh specifik- fytyrë ushtarake dhe piktor njëkohësisht, si dhe koleksionist i gjërave antike, duke përshirë këtu llullat, automobilat antikë dhe fyejt e përpunuar nga druri.

“Do të krijojmë vende të reja të punës përmes përkrahjes së ekonomisë familjare dhe vetëpunësimit në bizneset e vogla, krijimin e një infrastrukture të posaçme për personat me aftësi të kufizuar si dhe politika më sensibile për raste sociale”, deklaroi ai.

Për kryetarin aktual të komunës së Vitisë Nexhmedin Arifi nga radhët e PDK-së, i cili tani kandidon për një mandat të tretë, publiku kuptoi se i pëlqejnë “specat e gjegta” dhe se me bashkëshorten tij Remzije është njohur qysh në shkollën fillore, meqë kanë qenë në një klasë.

Arifi tha se programi i tij politik fokusohet dhe në përmirësimin e kushteve bujqësore dhe se për vitin 2014 do të  ndahen nga buxheti komunal 200.000 euro subvencione për këtë.

Lëvizja Vetëvendosje si kandidat ka shpalosur Salih Salihun, i “importuar” në këtë subjekt politik nga struktura e FER-it që përgjatë zgjedhjeve të përgjithshme nuk arriti të kalojë pragun e 5%. Ai deklaroi se në këto zgjedhje është më i gatshëm, sepse ka pasur hapësirë kohore për t’u përgatitur më shumë.

Nga ana tjetër, Sokol Haliti nga LDK-ja ballafaqohet me Arifin për herë të tretë  dhe po i njëjti deklaroi se dy radhët e kaluara ka pasur manipulime dhe vjedhje industriale të votave, gjë që është raportuar në autoritetet përkatëse.

Hafir Hoxha theksoi se e ka gjithë strukturën e PDK-së në degën e Vitisë në mbështetje, duke pohuar se i ka mbajtur rreth 22 takime me partinë e PDK-së.

Kandidati Arifi tha se dega e PDK është e përbërë prej tre vetave, prej ku njëra punon për LDK-në, e dyta për PDK-në kurse i treti nuk dihet për kë.

“E kam një pyetje për kandidatin Arifi, a e din se cili është kryetar i degës së PDK-së në Viti?”- iu drejtua Hoxha Arifit.

Kjo pyetje u pasua me përgjigjen : “Është Nexhmedin Arifi”, përgjigje kjo e cila u përcoll me gaz nga ana e publikut.

Përderisa Demaj theksoi se situata në fjalë shpalos fytyrën e vërtetë të kandidatëve, Halabaku mohoi të marrë pjesë në një cirk të tillë.

Problemet e komunës

Përgjatë debatit u theksua dhe problematika e qenve endacakë me ç’rast Hoxha tha se nuk është humane që para fëmijëve të vriten në rrugë këta qen.

 U trajtua dhe problematika e vërshimeve nëpër lokalet e qytetit, si rezultat i reshjeve. Përderisa kandidatët tjerë u dakorduan se ky fenomen paraqet problematikë të rëndë, kryetari Arifi tha se një gjë e tillë ka ndodhur vetëm një herë.

Po ashtu moderatorja Xharra e pyeti Arifin se pse gjysma e komunës së Vitisë nuk ka rrymë përgjatë natës që mbahet debati, e ky i fundit tha se është i njoftuar me problematikën dhe përkundrazi ka kërkuar prej KEDS-it që ta lëshojë rrymën.

Si problem u shtrua dhe tregu i gjelbër i komunës, i cili ndodhet në një gjendje të rrezikuar sanitare si dhe problemi i mungesës së listës esenciale të barnave. Këtë deficit të barnave kandidati Salihu e evidentoi me dokumentacion të vulosur.

Shkolla më e vjetër shqipe në Stubëll

Shkolla më e vjetër shqipe në Kosovë ndodhet në fshatin Stubëll dhe daton që nga viti 1908. Megjithatë kjo shkollë aspak nuk është mirëmbajtur, përpos bagazhit kulturor që mbart me vete. Kandidatët në fjalë, përveç Arifit, u dakorduan se një trashëgimi e tillë kulturore jo vetëm që duhet mirëmbajtur por dhe promovuar, kurse Arifi deklaroi se shkolla punon përgjatë festave fetare krishtere dhe vizitohet prej njerëzve.

Kandidati Demaj e sfidoi Arifin duke e pyetur se sa dhoma i ka shkolla e Stubllës, duke pohuar se Arifi nuk e ka vizituar atë për një kohë të gjatë, meqë shkolla është aq e braktisur sa “me hy aty të hanë gjarpërinjtë”.