Skenderaj

Ky shkrim është publikuar fillimisht më: 25.10.2013

Pasiviteti i kandidatëve tjerë, përveç atij të LVV-së (Lëvizja Vetëvendosje) dhe të autorizuarit të kryetarit aktual Sami Lushtaku, i cili ishte në pamundësi të merrte pjesë në debat për faktin se gjendet në paraburgim për dyshimet e krimeve të luftës, shoqëroi debatin e së enjtes mbrëma.

 Fadil Nura që përfaqësonte kryetarin Lushtaku në debat, përveç  sfidimit për qeverisjen aktuale, u sfidua edhe për punësimet e pakualifikuara të familjarëve të tij.

Ndër problemet e shumta të Skënderajt u përmendeë shkalla e lartë e papunësisë prej 67%, mungesa e ujit të pijshëm, mungesa e varrezave të qytetit dhe mungesa e objektit të premtuar për kategoritë e dala nga lufta.

Nepotizmi Nura

Fadil Nura, zëvendëskryetar i Komunës së Skënderajt dhe i autorizuar i Sami Lushtakut për përfaqësimin e tij gjatë fushatës parazgjedhore, në debati u akuzua për punësimin e gruas së tij, motrës dhe vëllait, pa kualifikimet përkatëse për pozitat adekuate.

Fillimisht kishte punësuar gruan e tij Qamile Lushtakun  – Nurën si mësuese në shkollën fillore në Klinë të Epërme, më pas në atë të mesme profesionale në Skënderaj, pa kualifikimin adekuat në kohën kur ishte punësuar.

Në shkollën e njëjtë angazhoi të vëllanë, në pozitën e instruktorit, prapë në një post  joadekuat me kualifikimet e tij.

Z. Nura kishte shfrytëzuar ndikimin e tij dhe kishte punësuar të motrën gjithashtu. Edhe këtij familjari i siguroi vend në arsim, në shkollën për nxënësit me nevoja të veçanta në Prekaz. Sikurse familjarët tjerë, e motra gjithashtu nuk kishte kualifikimin e duhur në momentin e punësimit.

Përkundër pyetjeve të qytetarëve dhe akuzave të kandidates së Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me këtë, Fadil Nura nuk mohoi punësimin e tyre dhe insistoi në kualifikimet e duhura të familjarëve të tij.

Fadil Nura u shpreh se nuk ka mbetur asnjë rrugë e paasfaltuar në komunën e tij dhe kjo qeverisje e mirë, sipas tij do të vazhdojë edhe në mandatin tjetër.

Bashkëpunëtorja e kthyer në kundërkandidat

Qytetarët e Skënderajt ishin kuriozë gjithashtu rreth programit qeverisës të kandidates së Lëvizjes Vetëvendosje Ajnishahe Shala – Halimi dhe faktit se si nga një bashkëpunëtore e kryetarit Lushtaku, Shala – Halimi u bë ndër kritikuesit më të mëdhenj të tij.

Sipas qytetarëve të Skënderajt, Ajnishahe Shala – Halimi kishte bashkëpunuar me kryetarin Lushtaku në disa çështje, përfshirë edhe peticionin për largimin e imamit nga një fshat i Skenderajt. Znj. Shala – Halimi ishte përkrahur nga kryetari dhe kishin pasur sukses me peticionin. Gjithashtu fakti që bashkëshorti i znj. Shala – Halimi është i punësuar në komunë, kishte bërë qytetarët kureshtarë të dinë për arsyet e kundërkandidimit të znj. Shala – Halimi.

Mirëpo kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, e njohur për aktivitetin e saj në fushat e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore, bashkëpunimin me kryetarin e shihte si aftësi komunikuese të saj për arritjen e qëllimeve për interesin e përgjithshëm të shoqërisë, duke përfshirë edhe rastin e peticionit.

Gjatë debatit, znj. Shala – Halimi jo rrallëherë pengohej me ovacionet e shumta nga publiku i shumtë i mbledhur në sallën e Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina” në Skënderaj, ku edhe zhvillohej debati.

Të etiketuarit e komunës

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Skënderaj, Cenë Behrami, ankohej në qeverisjen lokale, përfshirë faktin e diskriminimit të investimeve në fshatin e tij të lindjes Klinë e Mesme.

Sipas Behramit, banorët e këtij fshati gjithmonë kanë qenë të etiketuar si përkrahës të subjektit LDK, për të cilin fakt edhe janë diskriminuar në investime. Sipas Behramit dhe vetë qytetarëve, fshati Klinë e Mesme nuk kishte rrugë të asfaltuar, punimet e secilës kishin filluar tani në fushatë, dy ditë para mbajtjes së këtij debati.

Edhe më keq është fakti se banorët kishin bllokuar punimet për shkakun se në fshat nuk kishte kanalizim, i cili pengonte asfaltimin e rrugës. Sipas qytetarëve asfaltimi i rrugës kishte filluar pa planifikimin e duhur, ndërsa ajo nuk zgjidhte problemet e banorëve.

Z. Nura që përfaqësonte komunën në këtë debat, fillimisht hamendej nëse kishin filluar punimet në këtë fshat, pastaj mungesën e investimeve të deritanishme këtu, e arsyetoi me faktin se kishin investuar me rend në fshatra, ku tani kishte ardhur mundësia që të investohej edhe në Klinë.

Në programin e subjektit të tij, Cenë Behrami u deklarua në debat se 30% e buxhetit të komunës, do të investohej në ujin e pijshëm për komunën e Skënderajt, nëse ai dhe subjekti tij do të fitojnë mandatin në këtë komunë.

 Kandidati i që s’di të komunikojë me e-mail

Një ndër pyetjet e shumta të qytetarëve ishte edhe fakti nëse kandidati i AAK-së për kryetar të Skënderajt Qazim Xani, di të komunikojë përmes email-ëve. Vetë kandidati Xani pranoi faktin që nuk përdor komunikim me e-mail, mirëpo këtë nuk e shihte problem për qeverisjen e tij në të ardhmen me komunën e Skënderajt.

Kandidati, i cili nuk kishte edhe ndonjë plani konkret për varrezat e qytetit në Skeëderaj, u shpreh optimist se do fitojë besimin e qytetarëve të Skeëderajt për të qeverisur këtë mandat.

I braktisuri nga anëtarësia

Kandidati i AKR-së (Aleanca Kosova e Re) Ramiz Polaci, njëjte si kandidatët tjerë shpalosi programin e tij qeverisës. Mirëpo ndër pyetjet e shumta të qytetarëve ishin edhe ato për braktisjen e tij nga anëtarësia e AKR-së në vitin 2007.

Hulumtimet e BIRN-it të konfirmuara nga ish-anëtarë të kryesisë së kandidatit Polaci, thonë se 11 anëtarë të kryesisë së AKR-së të vitit 2007, kishin braktisur anëtarësinë, me arsyetimin se Ramiz Polaci kishte keqpërdorur mjetet e fushatës së asaj kohe, për përfitime personale. E gjithë anëtarësia e AKR-së së 2007-ës, e cila sot nuk është pjesë e AKR-së, kishin braktisur këtë subjekt në Skënderaj, duke quajtur z. Polaci një përfitues.

Mirëpo Ramiz Polaci, i cili mohoi këtë fakt, fillimisht mohoi edhe braktisjen e anëtarësisë. Më pas këtë e arsyetoi me faktin se nuk është përgjegjës për ata që anëtarësohen dhe lëshojnë anëtarësinë. Sipas tij AKR-ja është subjekt i madh dhe mund të hyjë dhe të dalë kush të dojë.

Në anën tjetër, ndër premtimet kryesore të Ramiz Polacit ishte programi i tj për mirëqenien ekonomike të qytetarit, të cilin Polaci planifikon ta realizojë gjatë mandatit të tij, nëse do fitonte besimin e qytetarëve.

Në debatin e mbajtur të enjten në Skënderaj, mungoi kandidati Musli Ahmeti nga LSK (Lëvizja Sociale e Kosoves). I njëjti kishte lajmëruar për pamundësinë e tij që të marrë pjesë në debat, për shkaqe shëndetësore.

Debati i cili u shoqërua më shumë me replikën e Ajnishahe Shala – Halimit kundrejt Fadil Nurës dhe anasjelltas, vazhdoi me deklarimet e kandidatëve për programet e tyre në shëndetësi, arsim, kujdesin ndaj kategorive të dala nga lufta etj.