Si u qeveris Drenasi në krye me Lladrovcin? Kryetari sfidohet me premtimet e tij e akuzat e opozitës

Para se të fitonte mandatin e radhës në Drenas, Ramiz Lladrovci nga PDK, premtonte investime në institucione arsimore, shëndetësore e kushte më të mira për qytetarët e kësaj komune. 

Mirëpo, edhe në këtë mandat të LLadrovcit, qyetetarët e Drenasit ende po balafaqohen me mungesë të infrastrukturës, ndriçimit e mungesë të ujit të pijshëm. 

Në emisionin “Jeta në Komunë”, debat ky i realizuar me kryetarë komunash të Kosovës, Lladrovci u gjend përballë akuzave për punën e tij tre vjeçare në këtë mandat.

Gjatë kësaj përballje në emison, Lladrovcit i’u shfqën pamje të deponive të mbeturinave në fshatin Abri e Epërme dhe në lagjen “Drenasi 2”. 

Për këtë Lladrovci tha se “i pastrojnë kur t’iu vie rendi”. 

“Unë kam fitu grant prej Ministrisë së Ambientit për pastrimin e deponive të shumta që ne i kemi pastru mbi 200 deponi me bërllok. Këto i pastrojmë kur të ju vie rendi”- u shpreh Lladrovci. 

Ku e kapi në rrenë Krypometri kryetarin e Drenasit?

Kur Lladrovci po garonte për të fituar mandatin e radhës në Drenas, kishte dhënë një mori premtimesh për të cilat thoshte se do t’i realizonte brenda mandatit. 

“Jemi në ndërtim e sipër në QMF në Baicë, ndërtimi i ndërtesës së AMF-së në Abri, renovimin e ndërtesës në Nekofc, renovimin dhe zgjerimin në Gllanasellë, renovimin e ndërtesës në Arllat, Sankofc e kështu më radhë”- kishte premtuar Lladrovci në vitin 2021.

Mirëpo, ndonëse Krypometri gjeti se punimet në renovimin e shtatë AMF-ve kishin përfunduar, megjithatë, Ambulanta në fshatin Abri e Epërme ka mbetur e mbyllur. 

“Ambulanta në Abri është funksionale, ka probleme me ujë sanitar në dy dhoma dhe ajo shumë shpejtë do të jetë funksionale”- tha Lladrovci në “Jeta në Komunë”. 

Lladrovci premtoi edhe ujin në fshatin Baicë, madje tha se këtë do ta realizonte për vitin e ardhshëm. 

Por, Krypometri verifikoi se në fshatin Baicë të Dreansit, edhe sot, në vitin 2024, ende nuk ka ujë. 

“Na rrjetin – atë që i takon Komunës, na e kena përfundu, por kapacitetet e ujit mungojnë në komunën tonë”- u arsyetua Lladrovci. 

Në vitin 2021, Lladrovci premtoi edhe ndërtimin e një nënstacioni të zjarrfikësve në fshatin Komoran. 

E pas tri viteve, del se nënstacioni i zjarrfikësve ende nuk është ndërtuar. 

Fajin për këtë Lladrovci u’a lë nivelit qëndror, për çka thotë se ndonëse u mundua që t’a bëjë një zgjidhje për t’i hapur rrugë ndërtimit të këtij nënstacioni në Komoran, megjithatë kjo nuk ishte në dorën e tij. 

“Agjencia e Menaxhimit Emergjent funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe 60 ari ata i kanë dhe duhet me vendosë për me ma dhanë mundësinë m`u investu. Unë, Policisë së Kosovës është dashtë me iu lut me ia dhanë një objekt, me nxjerrë Policinë e komunikacionit e me ua dhanë objektin e gatshëm në Komoran. Unë me zor nuk mundem me i shti. I kam çu mesazhe, i kam shkru ministrit dhe me menzi e kemi votu atë në asamble”- deklaroi Lladrovci.

Ndërkaq, sa i përket ndriçimit, në vitin 2021, Lladrovci premtoi se “vitin tjetër do ta përfundojë 100%”. 

Krypometri e vlerësoi “me kos” këtë premtim të kryetarit, pasiqë rruga Komoran-Sankoc është ende pa ndriçim publik. 

“Për drita s’di çka me thanë. Dikund i kanë ngjitë, dikund kurrkund”- u ankua Mehmet Obria nga fshati Komoran.

Megjithatë kryetari gjatë debatit tha se ndriçimin deri më tani e ka realizuar në 90% të fshatrave dhe lagjeve të kësaj komune. 

“Unë e kam ba ndriçimin mbi 90%, të gjitha lagjeve dhe fshatrave tona. Rrugëve kah 7 kilometra nuk i ndriçoi prej një lokaliteti në një lokalitet tjetër se nuk kam as rrjet, sepse duhet me pasë rrjetin përgjatë udhës. Na ka mbetë edhe 10% që jemi duke përfundu ndriçimin”- u arsyetua Lladrovci. 

Për ndarjen e barabartë gjinore në udhëheqejn e drejtorive komunale, Lladrovci e mbajti premtimin. 

Në Komunën e Drenasit 50% e drejtorive udhëhiqen nga gratë. 

Po ashtu, Lladrovci ishte ndër kryetarët e rrallë të komunave që mbajti premtimin për publikimin e listës së uzurpatorëve të pronave publike në komunë. 

Krypometri verifikoi se lista e uzurpatorëve është publike në faqen zyrtare të Komunës së Drenasit. 

I pari i Drenasit, në fushatën e kaluar zgjedhore po ashtu premtoi edhe ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Hafir Shala”, pasi QKMF-ja aktuale është e vjetër dhe me infrastrukturë jo të mirë. 

Mirëpo, për këtë, Lladrovci kishte thënë se do ta realizonte në  marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë. 

Ndërsa në debatin “Jeta në Komunë” ai tha se Ministria ende nuk ka filluar punimet për shkak se tenderi, sipas tij ndodhet ende në Gjykatën e tendërëve. 

“Na kena memorandum me Ministrinë e Shëndetësisë. Me këtë, na kemi humbë edhe buxhet tonin që kemi pasur për me marrë pjesë për me ndërtu. Mandej ata [MSh] e ka qitë në tendër, e kanë prishë “jo OShP-ja, jo USAID-i na i ka hekë kriteret”. Qe katër vjet jam t`u shty me ta dhe prapë tenderi është në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Ata i zhvillojnë procedurat, unë e kam bë projektin e kam revidu projektin nja 3-4 herë qysh e kanë kërku, normal kam bë shpenzime”- deklaroi Lladrovci.

 

Asfalti e mungesa e ujit përplasin PDK-në e VV-në në Drenas

Në debatin “Jeta në Komunë”, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci u sfidua me akuzat e opozitës për qeverisjen e tij gjatë këtij mandati në krye të Drenasit. 

Ishte asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Egzona Tërdevci, e cila deklaroi se Lladrovci do të mbahet në mend për “tendencën për zhvatje të parasë publike”. 

“Ky kryetar për krejt çka ka me u mbajtë mend është për tendencën për zhvatjen e pasurisë publike. Na jemi dëshmitarë qysh ka provu me dhanë në vazhdim pronën komunale për interesa të personave privat për 99 vite. Por për shkak të presionit publik e ka hjekë në seancën e kaluar”-  u shpreh  Tërdevci.

 

Sipas saj, Lladrovci me 4.1 milionë euro ka nisur ndërtimin e sheshit në qytet, derisa sipas saj, ka pasur mundësi që ato mjete kryetari t’i shfrytëzonte për zgjidhjen e problemit të ujit. 

“Premtimi i tij se në gjitha lagjet në Drenas, edhe në fshatra edhe qytet do të ketë ujësjellës është i vjetër, prej 2017-tës dhe nuk ka arritë me realizu. Ky [Ramiz Lladrovci] e ka një stil që viktimizohet dhe e gjuan fajin tek të tjerët, po nëse 4.3 milionë që janë duke u dhanë për shesh i cili veç ka qenë i ndërtuar dhe investuar nga qeverisja e PDK-së në Drenas më shumë se 4 herë, besoj që kish me qenë shumë e mjaftueshme për me funksionalizu ujësjellësin”- deklaroi ajo.

Ashpër i’u kundërpërgjigj Lladrovci, duke u zotuar se do të largohet nga posti nëse indentifikohet se një pronë publike nga kjo listë, është dhënë në shfrytëzim.

 “Lista paraprake ku komuna identifikon prona të veta të cilat mundet me i dhanë në shfrytëzim dhe mandej investitorët munden me u interesu për to. Prona e çerdhes ka qenë vetëm në listën paraprake e aty unë nuk mundem me dhanë kur unë akoma kam institucione që e kryjnë shërbimin e vetë. Unë e kam votu listën prelimenare para 1 muaj dite në kuvend, e unë asnjë pronë nuk e kam dhënë prej atyre 51 pronave. Ma gjeni prej listës paraprake me 51 prona që e kam dhënë një pronë, unë sot po shkoj në shtëpi, po deklaroj publikisht, po rrenën e ka bë zonja në fjalë”- u shpreh Lladrovci. 

E asamblistja nga VV vazhdoi ende debatin me kryetarin duke preteduar se procedurat për ndërtimin e sheshit kanë vazhduar pa pritur ende vendimin e Gjykatës së tenderëve. 

Ajo shtoi se për këtë ka bërë edhe kallëzim në Polici. 

“Unë kam bë kallëzim në polici të hetimeve ekonomike, për shkak se ligji i prokurimit publik thotë se autoritetet kontraktuese nuk munden me dhënë tender pa vendim të OSHP-së nëse lënda shkon në OShP. Zotëri Lladrovci e ka nënshkru tenderin për shesh pa u dhanë vendimi prej OShP-së, ka kalu afati ligjor dhe e ka shfrytëzuar heshtjen administrative. Por, për vendime të tilla nuk mund të shfrytëzohet heshtja administrative dhe duhet pritur vendimi i OShP-së”- tha Tërdevci. 

Për këtë, kryetari Lladrovci tha se ‘nuk e pret’ Organin Shqyrtues të Prokurimit kur ky institucion nuk kthen vendim brenda afateve ligjore.

“Unë kam marrë vendim pas kalimit të afateve ligjore për shqyrtimin e lëndës nga OShP-ja. Unë kam me vendosur, kur ajo [OShP] i kalon të gjitha afatet ligjore. Nuk e pres unë”- tha ai.

Çështja e ujit të pijes përplasi Lladrovcin përsëri me asamblistë në Kuvend. 

Asamblisti nga Demokratët për Drenasin, Mehedin Salihu deklaroi se fshati Shtuticë nuk ka ujë të pijes dhe se as rruga afër shtëpisë së tij nuk është asfaltuar për çka pretendoi se për këtë  “po penalizohet pasiqë është në opozitë”. 

“Ku ka dredhëza shumë, merre krojshen e vogël”, premtimet kanë qenë të mëdha e realizimet janë të vogla. Ju e përmendet Baicën por ka shumë fshatra që nuk kanë ujë të pijshëm. Fshati Shtuticë nga vijë unë nuk ka. Një pjesë e fshatit nuk ka as asfalt. Konkretisht në lagjen time ku banoj unë, e di drejtori, veç i ka shti bagerat me e shtru rrugën dhe si e ka marrë vesh që është shtëpia jem aty i ka tërheq pas dy ore punë”- tha Salihu.

Për këtë i’u përgjigj Drejtori i Infrastrukturës, Endrit Gllareva, i cili tha se në këtë rast kishte ndodhur një gabim me ekskavatorët që nisën punën tek shtëpia e asamblistit Salihu. 

Gllareva u zotua se  rruga afër shtëpisë së asamblisitit opozitar do të asfaltohet deri në qershorin e vitit 2025.  

“Realisht ndodhin këto gabime, menaxheri i kontratës e ka ngatërruar rrugën, por nuk u kanë pjesë e projektit rruga personale e tij, por e vëllait të tij, që është pronë publike. Rruga e asamblistit do të shtrohet në qershor të vitit të ardhshëm”- tha Gllareva.

Asamblistja tjetër e VV-së, Filloreta Bujupi ngriti çështjen e mungesës së ujësjellësit në fshatin Orllat.

“Ujësjellës nuk ka në fshatin Orllat. Në lagjen e xhamisë mungon ujësjellësi, mungon ndriçimi, mungon kanalizimi…”. 

Për këtë kryetari Lladrovci tha se përgjegjëse për mungesën e ujit në këtë fshat është kompania përgjegjëse për mirembajtjen e ujit. 

“Uji në Orllat, jemi në proces të investimeve atje, sepse ka pasë ujë prej bjeshkës dhe ka pasë rezervuar në Orllat, por kompania nuk e ka mirëmbajtë rezervuarin e ujit”- tha kryetari. 

 

Cila është cilësia e projekteve që Lladrovci u’a preu shiritin?

Mijëra qytetarë të Drenasit i’u gëzuan punimeve që promovoi kryetari Ramiz Lladrovci në faqen e tij në Facebook gjatë tri viteve të këtij mandati. 

Pas verifikimit në teren, ekipi i KALLXO.com gjeti se në mesin e shumë projekteve të reja dhe investimeve që u reklamuan nga qeverisja PDK-së në Drenas, jo të githa prej tyre karakterizoheshin me cilësi të mirë të punimeve. 

Ndonëse u promovuan në muajin prill të këtij viti, muaji tetor tualetet publike në Stacionin e Autobusëve në Drenas ishin të kapluara nga papastërtia dhe kundërmimi nga mosmirëmbajtja e tyre.

Për këtë gjendje të stacionit, Lladrovci tha se “menjëherë pasiqë është bërë investimi, dikush e ka shkatërruar”. 

Për këtë tha se ka rast edhe në organet e rendit. 

“Na i kemi marrë të gjitha masat me e rregullu tualetin në stacion, e kemi bë projektin e kemi bë investimin, dhe të nesërmen menjëherë, janë shku e kanë thy krejt. Pra, dikush nuk e do një investim. Na e kemi raportu në Polici, edhe ata merren. Komuna nuk kanë staf të mjaftueshëm për mirëmbajtjes, e as në stacion nuk ka mirëmbajtës”- tha Lladrovci në “Jeta në Komunë”. 

Kryetari përgjatë mandatit të tij, promovonte edhe vendosjen e prizmave nga betoni në oborrin e ambulantës në fshatin Gllanasellë. 

Mirëpo, në terren, gjendja ishte ndryshe nga ajo se çka u reklamua nga komunarët. 

Projekti kishte përfunduar së ndërtuari, mirëpo prizat nga betoni kishin mbetur krejtësisht të ç’rregullta e të shpërndara në oborrin e ambulantës.

“Kur e kam thanë unë është se pjesa përpara ambulantës është kry, por kjo tash është shtesë që po e bëjmë edhe brenda në oborr. Nuk e di kur, shpejtë kryhet. Na i kemi përdorë kubëzat dhe zhavorrit në shesh se nuk paguajmë për to vetëm për punën”- ishte aryestimi i Lladrovci për këtë gjatë “Jeta në Komunë”.

Komuna e Drenasit në vitin 2022 publikoi një material që promovonte riparimin e ulëseve në palestrën sportive “Hysni Jetullahu”.

Pas disa muajve, ekipi i KALLXO.com në Drenas verifikoi një gjendje ndryshe. 

Karriget ishin të dëmtuara e të demoluara. 

Fajin për këtë, Lladrovci e hedh tek tifozët për të cilët thotë se gjatë ndeshjeve që zhvillohen aty, ata i thyejnë karriget në sallë. 

“Vandalët i thyejnë kah të lujnë, ka tulifar tifozi. Mundeni me pa në televizion, i kam vendos karriget shumicën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” ka luajt Ballkani me Prishtinën, dhe tifozat e Prishtinës m’i kanë thy karriget, ende s’mi kanë pagu”- u shpreh Lladrovci. 

Edhe fusha sportive në fshatin Tërstenik ishte ndryshe nga ajo se si u promovua nga komunarët, pasi rrethojat e saj ishin prishur. 

Për këtë Lladrovci pati një arsyetim. “Na nuk jemi rojtarë të dëmeve që i bëjnë rinia. Kamera s’kemi, edhe kamerat m’i kanë vjedhë në Komoran”.

 

Performanca e Drenasit në krye me Lladrovcin 

Në këto tre vite të fundit, në raportin e performancës të realizuar nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), ka dalur të jetë në vendin e dhjetë në fushën e barazisë në punësim. 

Vendin e dhjetë poashtu kjo komunë e zë në fushën e mirëmbajtjes së hapësirave publike. Renditet në vendin e gjashtë në kujdesin primar shëndetësor, ndërkaq në fushën e transportit publik, del të jetë komuna e dytë në mesin e gjithë komunave të vendit. 

E në mbrojtjen e mjedisit, është komuna e gjashtë, bazuar në të dhëna të kësaj performance. 

E për mungesën e shtigjeve të biçikletave, kryetari pati një arsyetim. 

“O unë nuk po mundem me ndërtu trotuare për me lëvizë njerëzit e nxënësat, e lëre ma shtigje të biçikletave, sepse nuk kemi prona publike për me mujt me e e ba shtegun”- u shpreh Lladrovci.  

Ndërsa për numrinve vogël të fëmijëve që vijojnë çerdhet, ashtu siç përshkruhet në raportin e performancës, u përgjigj Drejtori i Arsimit, Muhamet Gjoka. 

“Sa i përket numrit të vogël të fëmijëve që  vijojnë në kopshte rurale, është mungesa e stafit për arsimin parafillor, për edukatore”- tha Gjoka.