Shtërpcë

Kryetari I Shtërpcës dhe kandidati i SLS-së edhe për një manadat në krye të kësaj komune, Bratisllav Nikoliq, lavdëroi shumë qeverisjen e tij gjatë debatit televiziv të zhvilluar të mërkurën, duke thënë se gjatë katër vjetëve në Shtërpcë janë investuar 40 milionë euro, më shumë se gjatë 30 vjetëve të kaluar.

Kur u fol për rezultate komunale, kryetarin aktual e mbrojti edhe nënkryetari I komunës Beqir Fejzullahu, edhe pse synon karrigen e tij, duke kandiduar për PDK-në.

Garës për Shtërpcën, përveç këtyre dy zyrtarëve të lartë komunalë, i kanë hyrë edhe Ali Halimi nga Vetëvendosja, Hamdi Haliti nga LDK-ja, Selman Sylejmani nga AAK-ja dhe Ivan Rexhiq nga Iniciativa Qytetare Serbe.

Rexhiq mungoi në debat, edhe pse më herët kishte konfirmuar pjesëmarrjen.

Brezovica

Debati fitoi intensitet kur moderatorja Ivana Stevanoviq pyeti që sa kohë nuk funksionon ski-lifti në zonën turistike të Brezovicës.

Kryetari Nikoliq tha se për Brezovicën duhet një donator, ndërsa shtoi se në zonë ka mungesë rryme, derisa nënkryetari Fejzullahu mbështeti shefin e tij komunal duke thënë se kjo zonë është nën menaxhimin e AKP-së, e komuna nuk ka kompetenca për të.

Nikoliq foli mirë edhe për kreun e qeverisë Hashim Thaçin, duke thënë se drejtuesi i ekzekutivit kosovar, në Shtërpcë ka investuar, më shumë se sa parashikimet.

Haliti nga LDK-ja dhe Sylejmani nga AAK-ja, thanë se kompleksi turistik duhet të privatizohet, derisa kandidati i LVV-së Ali Halimi, tha se kompleksi ndodhet në dorë të Inex-it nga Serbia, që e quajti strukturë ilegale.

Kryetari Nikoliq nuk u pajtua me këtë cilësim, duke thënë se ndërmarrja e njëjtë e menaxhon zonën turistike të Brezovicës që 30 vjet.

Kandidati i LVV-së Halimi, tha se strukurat e tilla fitojnë nga 600 mijë euro në sezonë dhe për këto para nuk i japin llogari askujt.

Prerja e pyjeve

Në debat u fol edhe për prerjen e pyjeve, një dukuri kjo e shpeshtë në këtë rajon. Hamdi Haliti I LDK-së tha se dëmtimi i zonave të pyllëzuara të Shtërpcës është shqetësues, pasi edhe të arrestuarit për prerje drunjsh dënohen shumë pak në krahasim me dëmet që bëjnë.

Kryetari dhe nënkryetari i komunës, kandidatët të SLS-së e PDK-së, përsëri u bënë bashkë për të thënë se prerja e pyjeve është më e pakët sot, se para dy vjetësh. Kandidati i LVV-së tha se prerjet po bëhen në bashkëpunim me kuvendin komunal.

Derdhja e kanalizimit në Lumin Lepenc

Për derdhjen e ujërave të zeza në lumin Lepenc, kryetari aktual Nikoliq përmendi basene për filtrimin e ujit të lumit, por tha se një ndërmarrje e tillë ka kosto të lartë. Ali Halimi nga LVV-ja tha se pastrimi i lumit duhet të bëhet duke hapur gropa, ndërsa kandidati i AAK-së Selman Sylejmani tha se duhet të zbatohet vetëm ligji, pasi ai e ndalon hudhjen e kanalizimeve në lumenj.

Në debat u fol edhe për mosrespektimin e orarit të punës nga punonjësit e qendrave mjekësore në fshatrat e thellë malorë Drejkovc e Brod, të cilët, sipas pyetjeve nga shikuesit qëndrojnë aty deri në mesditë, ndërsa duhet të jenë në detyrë deri në orën 15:00. Kryetari Nikoliq dhe kandidati i SLS-së tha se nuk ka njohuri për këtë.