Peja

Në garën e zgjedhjeve lokale të tre nëntorit për kryetar të Pejës, përveç edhe pesë kandidatëve tjerë që i janë futur kësaj gare për herë të parë, Gazmend Muhaxheri i LDK-së, për herë të tretë do të jetë përballë Ali Berishës të AAK-së.

Derisa Muhaxheri këtë radhë është i bindur se do ta mposht Berishën edhe për atë fjalën popullore “e treta, e vërteta”, Berisha mendon se përsëri do ta fitojë garën me ish-bashkëpunëtorin e tij në qeverisje.
Muhaxheri, tash kandidat i LDK-së, në 2007-ën dhe 2009-ën garonte me Partinë Reformiste Ora.

Përveç Muhaxherit e Berishës, garës për kryetar të Pejës i kanë hyrë edhe Muhamet Haliti PDK, Hivzi Muharremi LVV, Myhedin Sylça PD, Gazmir Raci ADK, si dhe Ramë Dreshaj nga Lëvizja Sociale e Kosovës, LSK.

Komuna e Pejës, e cila përfshinë një hapësirë prej 603km², e që është komuna e tretë më e madhe në Kosovë për nga sipërfaqja, ballafaqohet me shumë probleme, duke filluar nga mungesa e ujit të pijshëm, sigurinë jo të duhur për jetën e qytetarëve, problemin i ujërave të zeza, dhe vazhdimin e zbrazjes së tyre në Lumbardh, mungesën e kanaleve për ujitje, prerjen e vazhdueshme të pyjeve, shkatërrimin e shtretërve të lumenjve e të tjera.

Siguria në Pejë e brishtë

Ndërsa njëri ndër problemet më shqetësuese, sidomos pas tri vrasjeve në javët e fundit në këtë qytet, është edhe niveli jo i mirë i sigurisë.

Pyetjes se pse Peja vazhdon ende të mbetet kryelajm në kronikat e zeza të lajmeve në Kosovë, Berisha i është përgjigjur duke thënë se edhe përkundër faktit që ngjarjet në kohën e fundit kanë zbehur imazhin sigurisë në Pejë, qyteti është duke ecur dukshëm hapave të dëshiruar të rritjes së sigurisë për qytetarët.

Ish nënkryetari nga zgjedhjet e vitit 2007, dhe ish drejtori i Urbanizmit nga zgjedhjet e vitit 2009, Gazmend Muhaxheri, ka akuzuar ish shefin e tij se nuk takohet si dhe kur duhet, me Këshillin për Siguri në Bashkësi, për të marrë raportet e duhura për gjendjen e sigurisë në terren, madje duke thënë që Berisha detyrën që e ka sipas tij me ligj, ta udhëheqë këtë këshill, ai atë e delegon te njerëzit e tjerë, duke e zbehur efektin e KSB-së, gjë të cilën Berisha e ka kundërshtuar.

Ndërsa Raci i ADK-së ka vlerësuar se nuk mjafton vetëm kamerat të jetë funksionale, nevojitet nje funksionalitet më i madh i KSB.

E Muharremi i VV-së ka deklaruar se lëvizja nga e cila synon fronin e të parit të Pejës do t’i funksionalizojë institucionet gjegjëse të sigurisë.

AAK i futet garës në zgjedhje me zyrtarë të dyshuar për keqpërdorim të detyrës
Ndërtimet e larta në qytetin e Pejës viteve të fundit kanë filluar të rriten, dhe shpesh kanë qarkulluar akuza të ndërsjella mes subjekteve politike, se nuk është respektuar plani urbanistik.

Më tre shtator të këtij viti, Policia e Krimeve Ekonomike në Pejë kishte arrestuar Ahmet Mahmutajn, dhe Galdim Krasniqin, drejtorë të Urbanizmit, përkatësisht Inspektoratit, nën dyshimin e marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Shefi i të arrestuarve Ali Berisha, arrestimin e tyre e ka quajtur rast të montuar, dhe se sipas tij kjo është hera e parë për dyshimin e keqpërdorimit të detyrës së zyrtarëve të tij.

Kurse pyetur se si AAK në listat për këshilltarë ka vënë emra njerëzish të dyshuar për keqpërdorime, Berisha ka thënë që emërtimi i tyre për kandidatë për këshilltarë është bërë para ndodhjes së rastit.

Përmbytjet në Pejë sfidë për Berishën

Gazmend Muhaxheri i LDK-së i cili ishte drejtor i Urbanizmit për rreth dy vjet në Komunën e Pejës pas zgjedhjeve të 2009-ës, ka akuzuar ish-shefin e tij se shumë projekte në këtë komunë janë realizuar  pa u kontrolluar nga askush, e sipas tij për pasojë ka shumë vërshime.

“Janë bërë disa punë të pakontrolluara nga pushteti aktual, sidomos në lagjen Dardania në shtratin e përroit në atë lagje. Këta me tenderë kanë ba dëme të mëdha për dy mandate ky pushtet që është tash”,ka hedhur akuza Muhaxheri në drejtim të Berishës.

Ndërkaq ky i fundit ka akuzuar Muhaxherin se disa nga projektet që Muhaxheri flet kanë filluar në kohën sa ai ishte drejtor i Urbanizmit, siç është rasti i përroit të Çokolicës.

“Sa i përket projektit të Çokolicës, bartës, hartues, dhe menaxhues i projektit, bashkë me UN-HABITAT-in ka qenë pikërisht Gazmend Muhaxheri”, ka thënë Berisha.

Sipas tij Peja ka probleme me vërshime për shkak të problemit gjeografik që ka, edhe pse është  investuar në disa kanale, madje Berisha nuk ka premtuar se nuk do të ketë më vërshime në të ardhmen.

Akuzës së Berishës në drejtim të Muhaxherit i është bashkuar edhe Raci i ADK-së duke pohuar fjalët e Berishës.

”Problemi është se një kohë opozita në Pejë qëndron në opozitë, e më pas hyjnë e bëhen drejtora, dhe si pasojë e keqmenaxhimit të z. Muhaxheri, Çokolica vërshon”, ka thënë Raci.

Haliti i PDK-së premtoi ndalim të vërshimeve, duke përmendur rregullimin e tre kanaleve që e përmbysin qytetin e Pejës.

Premtimi për shëtitoren buzë Lumëbardhit, i parealizuar

Njëri ndër premtimet e partive politike në zgjedhjet e kaluara ishte edhe shëtitorja buzë Lumëbardhit, e cila ishte premtuar se do të jetë funksionale, premtim i cili ende është i parealizuar.

 Ali Berisha AAK dhe Gazmend Muhaxheri LDK  kishin premtuar rregullimin e saj, por deri më tani ka mbetur vetëm një premtim në letër, kurse gjendja në terren qëndron larg realitetit të synuar.

Këtë projekt Berisha e ka vlerësuar se është një sfidë edhe për të ardhmen, pasi që sipas tij është projekt që kërkon shumë të holla, pasi që duhet shpronësuar prona private.

Myhedin Sylça i PD-së ka thënë se udhëheqjet komunale që kanë qeverisur Pejën deri më tani, jo që e kanë shpronësuar pronën publike, por e kanë pronësuar atë.

Muhaxheri si drejtor punëson të motrën

Gazmend Muhaxheri, i cili kandidon për të tretën herë për të parin e Pejës, pasi që ishte emërtuar nga kryetari Berisha, në koalicionin mes Orës dhe AAK-së pas zgjedhjeve të vitit 2009, kishte futur në punë motrën e tij në drejtorinë që ai udhëhiqte, atë të urbanizmit.

Me të pyetur në debatin e së premtes se pse një gjë të tillë ta ketë bërë Muhaxheri, ky i fundit nuk ka pranuar që kontrata të jetë nënshkruar nga ana e tij, duke thënë që nënshkrimin ta ketë bërë Berisha, edhe pse në kontratën e sipërpërmendur të datës 6 tetor të vitit 2009, dukej qartë nënshkrimi i Muhaxherit.

Mirëpo ish drejtori i Urbanizmit të Komunës së Pejës është përgjigjur që motra e tij Hana Muhaxheri të ketë dy fakultete të përfunduara të nivelit master dhe se sipas tij ishte kandidatja më potenciale.

240 mijë euro për aneks në Teatrit, asnjë cent për shkollën e mjekësisë

Shkolla e Mesme e Mjekësisë, e themeluar para më shumë se 20 vjetësh në Pejë, ende mbetet pa objekt të vetin, ndërsa 1 mijë nxënësit e saj vazhdojnë të mësojnë në shkollën fillore Ramiz Sadiku.

Ndërkaq ekzekutivi i Komunës së Pejës përmes një projekti që kapë shifrën prej rreth 240 mijë eurosh, ka ndërtuar një aneks të Teatrit Profesionist të qytetit “Istref Begolli”, i cili ndërtim brenda vetes kapë zgjerimin e skenës si dhe ndërtimin e tri dhomave komode për pritjet e mysafirëve dhe akomodimin e tyre.

Derisa kryetari i deritanishëm Ali Berisha ka thënë që shuma prej 240 mijë eurosh te jetë shumë e vogël për ndërtimin e Shkollës së Mesme të Mjekësisë, Muhaxheri i LDK-së ka thënë se kjo shumë është e mjaftueshme për ndërtim të kësaj shkolle.

Ndërkaq Haliti i PDK-së për mungesën  e objektit të kësaj shkolle e ka vlerësuar si një çështje disa herë të ngritur në kuvendin komunal nga ana e tij, por siç ka thënë ai të hasur në vesh të shurdhër.