Mitrovica Veriore

Kandidatët për kryetar të Mitrovicës Veriore, gjatë debatit televiziv për këtë komunë, u ankuan se dikur thithnin ajër të ndotur nga aktivizimi i plotë i Trepçës, por qyteti ishte i ndërtuar.

“Më parë kemi pasur ndotje të ajrit se ka punuar Trepça, por ka pasur qytet të ndërtuar. Tash nuk kemi ndotje të ambientit sepse Trepça nuk punon, por kemi qytet të degraduar”, tha kandidati për kryetar nga Iniciativa Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq.

Edhe kandidati i PDK-së Agim Deva, në një moment të debatit kujtoi me nostalgji të shkuarën.

“Mitrovica ka qenë shembull për tërë Jugosllavinë dhe për këto dy qytete ( Mitrovica veriore dhe jugore )  duhet të mirren masa për të jetuar së bashku si përpara”, tha Deva .

Se Mitrovica nuk është ajo që ka qenë e pranoi edhe kandidati i SLS-së Dimitrije Janiçijeviq.

“Pas konfliktit Mitrovica është bërë qytet ku nuk ka siguri për qytetarët Disa duke u marrë me politikë të lartë kanë harruar se nevojitet ujë për pije”, thotë Janiçijeviq.

Adriana Hoxhiq, kandidate e pavarur dhe drejtuese e Zyrës Administrative në Veri përmendi punën e vështirë që bëri gjatë një viti e gjysmë, prej se u zgjodh në këtë pozitë, duke mos u pajtuar me mbeturinat që kudo shihen në veri të Mitrovicës.

Ajo tha se nëse zgjidhet kryetare, ka zgjidhje për to, derisa kandidati i PDK-së Deva premtoi rindërtimin e 300 shtëpive, duke thënë se do të angazhohet për kthimin e të shpërngulurve nga jugu dhe veriu i qytetit.

Oliver Ivanoviq i SDP-së, tha se Mitrovica në vitet ’90 ishte qytet i ndërtuar mirë, qytet tipik industrial dhe me një kulture të lartë. Ai tha se me ekipin e tij do të ketë zgjidhje për deponitë, problemin e mungesës së ujit dhe atë të parkingjeve.

Dimitrije Janiçijeviq nga SLS-ja tha se në Mitrovicën Veriore nuk ka ujë dhe askush nuk merret me prodhimtari.

Ndërtimet pa leje

Por në këtë hapësirë janë ndërtuar shumë objekte pa leje të “të fortëve” të veriut. Kandidatët nuk patën zgjidhje konkrete për to, por thanë se nuk mund të hiqen e duhet të legalizohen.

Agim Deva tha se gjatë kohës që Hoxhiq drejtonte Zyrën për Veriun janë ndërtuar 250 objekte të tilla, ndërsa ajo nuk e ka bërë asnjë ankesë.

Hoxhiq tha se ndërtimet e tilla kanë nisur që 14 vjet, e nuk janë bërë vetëm në kohën e saj, derisa Janiçijeviq tha se objektet e tilla që pengojnë parqe, parkingje e rrugë do të rrënohen pa kompromis.

Rrymën nuk e paguajnë as zyrtarët

Në debat u prek edhe çështja e mospagesës së faturave të rrymës. Ivanoviq tha se duhet të bëhet një fushatë vetëdijësimi për qytetarët e këtushëm. Në veri shqiptarët nuk ia paguajnë rrymën ish-EPS-së serbe, ndërsa serbët nuk duan t’ia paguajnë atë tash KEDS-it.

Atje faturat i shpërndan korporata elektrike serbe, ndërsa që 14 vjet shumë pak prej banorëve të atjeshën e kanë paguar rrymën.

Ivanoviq tha se vetë e paguan rrymën, por ka edhe fatura të papaguara, ndërsa shtioi se këtë artikull së pari duhet ta paguajnë zyrtarët komunalë dhe politikanët.

Adriana Hoxhiq tha se nuk e paguan rrymën, ngase nuk di se kujt t’ia paguaj dhe ku shkojnë ato para.

Deva shpjegoi se e paguan rrymën, edhe pse ka shtëpi në veri, ndërsa jeton në jug të qytetit.

“ Shtëpia m’u ka djegur në veri, jetoj në jug dhe gjithsesi që rrymën e paguaj “ tha Deva.

Deva shtoi se rryma harxhohet pa kontroll, pasi nuk paguhet, ndërsa Janiçijeviq problemi i pagesës mendon se ndodh për shkak të mosbashkëpunimit mes EPS-së dhe KEDS-it.

Kandidatët u munduan t’u bëjnë  vend edhe makinave, duke propozuar lokacione të ndryshme për parkingjet e së ardhmes.

U fol edhe për një sallë sporti që mungon në veri.

Adriana Hoxhiq tha se është për keqardhje që 2 mijë e 500 atletë të regjistruar në këtë pjesë nuk kanë ku të ushtrojnë.