Këshilltarët Jopartiakë, Vështirë të Veprojnë si Pjesë e Qeverisë
Jeta në Kosovë sonte debaton për prurjet e reja nëpër parti politike pikërisht para zgjedhjeve nacionale në Kosovë. Pse anëtarë të shoqërisë civile u bën pjesë e ekipit aktual qeverisës? Sa kanë hapësirë t’i shtyjnë përpara idetë e tyre si persona profesionalë pa qenë pjesë e një partie politike? Pse ish-këshilltari jopartiak i kryeministrit Thaçi, thotë se pa qenë pjesë e partisë nuk ke fushë veprimi? Cilat janë arsyet e aderimeve në parti politike të ish-pjesëtarëve të shoqërisë civile? Gjithashtu, gjatë debatit mund të mësoni se cilat janë vlerësimet e panelistëve rreth themelimit të Gjykatës Speciale që u votua dje në Kuvendin e Kosovës.
Dukagjin Gorani, ish-këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndonëse ishte jopartiak, tregon për përvojën e tij.
Ai thotë se është shumë vështirë që të jesh pjesë e ekipit qeverisës si jopartiak dhe t’i shtysh përpara idetë që ke.
Këtë përvojë Gorani e shpalosi gjatë debatit “Jeta në Kosovë”, duke i këshilluar tashmë ish-anëtarët e shoqërisë civile që këto ditë janë bërë pjesë e ekipit qeverisës “Thaçi 2”, se më mirë është të bëhen pjesë e partisë politike, se për ndryshe, pakkush do t’ua varë veshin.
Ky sugjerim, sipas Goranit, shkon më shumë për Luljeta Vuniqin, e cila ishte pjesë e debatit, për shkakun se ajo ka pranuar të jetë pjesë e ekipit qeverisës si staf profesional, e jo partiak.
Gorani tha se, në këtë drejtim, më lehtë do ta ketë Shqipe Pantina, e cila nga shoqëria civile u bë pjesë e Lëvizjes “Vetëvendosje”, e po ashtu edhe Nuredin Ibishi, i cili e la shoqërinë civile dhe iu bashkua LDK-së.
Luljeta Vuniqi tha gjatë debatit se ajo është bërë pjesë e ekipit qeverisës që të kontribuonte profesionalisht në fushën që e ka ushtruar që 20 vjet, e që është fusha e të drejtave të grave.
Ajo nuk konsideron se do ta ketë problem ta japë kontributin e saj në atë ekip qeverisës, edhe duke mos qenë pjesë e partisë në pushtet apo të ndonjë partie tjetër.
Shqipe Pantina, si anëtarja më e re e “Vetëvendosjes” nga shoqëria civile, tha gjatë debatit se arsyeja pse ajo i është bashkuar kësaj lëvizjeje, është programi i saj qeverisës.
Aderim disi i çuditshëm është parë ai i Nuredin Ibishit në LDK, të njohur si komandant “Leka”, një ish-komandant i UÇK-së që ka vepruar në zonën e Llapit. Në arenën e politikës kosovare të pasluftës, kjo ka ndodhur rrallë, për të mos thënë fare.
Edhe Ibishin e bindi programi politik i LDK-së.
“Votimi i djeshëm në Kuvend tregoi se Kosova është projekt ndërkombëtar”
Për Dukagjin Goranin, votimi i djeshëm në Kuvendin e Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale dhe mandatin e EULEX-it, tregon se Kosova është projekt ndërkombëtar dhe se qeveria nuk ka ndonjë fuqi t’u bëjë ballë presioneve të tilla ndërkombëtare.
Shqipe Pantina thotë se ka kur është folur për themelimin e një Gjykate Speciale, ajo ka pritur se kjo gjykatë po themelohet për ta paditur Dick Martyn për akuzat e rreme ndaj luftës së UÇK-së, e jo të gjykohet lufta e saj.
Megjithatë, ajo thotë se nuk është kundër gjykimeve individuale për krime lufte, të cilat kanë mundur të ndodhin gjatë luftës në Kosovë.
E për ish-komandantin e UÇK-së, Nuredin Ibishin nga LDK-ja, themelimi i kësaj gjykate është fyerje e rëndë për luftën e UÇK-së dhe popullin e Kosovës.
Partitë ende me qëndrime të ndryshme për kohën e zgjedhjeve
Praktikisht, Dukagjin Gorani konsideron se koha më e mirë për mbajtjen e zgjedhjeve do të ishte në shtator. Kjo, sipas tij, do të mundësonte përgatitje shumë më të mira për këtë proces.
Edhe Nuredin Ibishi konsideron se zgjedhjet do të duhet të mbaheshin në shtator.
Shqipe Pantina nga “Vetëvendosje”, thotë se zgjedhjet do të duhej të mbaheshin sa më parë që është e mundur, qoftë edhe nesër.
Pakicat në kuvend mund të nxjerrin telashe për votimin e FAK-së
Dukagjin Gorani vlerëson se pakicat në Kuvend mund të krijojnë telashe për votimin e FAK-së në Kuvend, pasi që, kjo duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese.
E për ndryshime kushtetuese përveç 2/3 të shumicës në Kuvend, nevojiten edhe 2/3 e pakicave.
Si rrjedhojë e hapjes së Kushtetutës, Gorani thotë se pakicat do të tentojnë që të kërkojnë vende të rezervuara edhe për një mandat.
Kohëve të fundit pakicat votimin në Kuvend e kanë kushtëzuar me sigurimin e vendeve të rezervuara në Kuvend edhe për një mandat qeverisës.
Në të vërtetë, nuk ka bazë ligjore që ua mundëson vendet e rezervuara edhe për një mandat.
Shumica e partive politike, tash e disa kohë e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre për vendet e rezervuara në Kuvend.
LDK-ja dhe “Vetëvendosje” janë kundër vazhdimit të kësaj praktike.
Drejtues të Partisë Liberale Serbe (SLS) janë shprehur skeptikë për votimin e FAK-së në Kuvend, nëse nuk merren parasysh vendet e rezervuara.
Zyrtarë nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, i kanë thënë Gazetës Jeta në Kosovë se sa i përket votimit të FAK-së, do të koordinohen edhe me partitë e tjera, që nënkupton se do ta shikojnë edhe interesin e Kosovës, por edhe interesin e komunitetit që e përfaqësojnë.
Për të diskutuar për të gjitha këto çështje, sonte në debatin “Jeta në Kosovë” janë të ftuar:
Dukagjin Gorani – ish-këshilltar i qeverisë, tash analist,
Luljeta Vuniqi – ish- pjesëtare e shoqërisë civile, së fundmi pjesë e ekipit qeverisës të “Thaçi 2”,
Shqipe Pantina – ish- pjesëtare e shoqërisë civile, tash pjesë e “Vetëvendosjes” dhe
Nuredin Ibishi – po ashtu ish-pjesë e shoqërisë civile, tash anëtar i LDK-së
Debati Jeta në Kosovë transmetohet sonte prej orës 20:20 në RTK 1 dhe repriza jepet të premten në mesditë.