Kaçanik

Palmat e Kaçanikut, të mbjella përballë rrjedhës së lumit Nerodimka në këtë qytet gjatë vitit 2011, kur kryetar komune ishte Xhabir Zharku, nxitën debatin e kandidatëve për kryetar të kësaj komune, të shtunën.

Shumica e këtyre palmave janë tharë, ndërsa kandidatët e vlerësuan të dështuar projektin që tentonte ta bëjë Kaçanikun vend bregdetar, përkundër klimës malore.

Vetëm kandidati i LDK-së Selim Reka është treguar pak më i butë ndaj palmave, duke e vlerësuar projektin pjesërisht të suksesshëm, duke marrë parasysh që disa palma të cilat mirëmbahen nga pronaret e lokaleve ende janë gjallë.

Gjashtë kaçanikas tentojnë të ulen në pozitën e të parit të komunës, pas zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Përveç  Rekës së LDK-së dhe kryetarit aktual e kandidatit për kryetar të PDK-së Besim Ilazit, garës i kanë hyrë edhe Afide Kuka nga LVV, Avni Tafili, i Partisë së Drejtësisë, Bardhyl Mjaku i AKR-së, dhe Tahit Çaka i AAK-së.

Çaka që në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 2012-ës, doli i dyti, pas Ilazit, i mungoi debatit të Emisionit Jeta në Komunë. Në njoftimin e AAK-së, dega në Kaçanik thuhej se kryetari Çaka është në udhëtim jashtë vendit dhe nuk mund të jetë prezent.

Bardhyl  Mjaku i AKR-së, e ka pranuar se ka punuar si shpërndarës i internetit dhe i dreambox-ve, të cilët janë ilegalë,  pasi vjedhin kanalet televizive nga platformat tjera, nëpërmjet pajisjeve të lidhura me satelitë. Edhe përkundër kësaj veprimtarie të paligjshme ai ka premtuar se nëse e merr mandatin e kryetarit do ta respektojë ligjin.

Edhe për kandidatët e Kaçanikut folën familjarët.

Naser Kuka, bashkëshorti i Afide Kukës nga Lëvizja Vetëvendosje duke folur për karakterin e saj tha se “kur është puna ajo di me çu gishtin dhe di me i ra tavolinës grusht”.

Problemet më të mëdha në Kaçanik janë ujësjellësi, kanalizimi dhe infrastruktura rrugore, për të cilat kandidati i PDK-së Besim Ilazi ka premtuar përmirësim.

Kandidatët e Kaçanikut janë zotuar edhe për zhvillim të bujqësisë, çrrënjosje të korrupsionit, por edhe për investime në shëndetësi dhe arsim.