Jeta në Kosovë diskuton për procesin e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Cilat janë arsyet e zvarritjes të këtij procesi për dy vite? A ka pasur ndikime politike në proces? A ka pakënaqësi ndër prokurorë dhe gjyqtarë? Edhe sa kohë duhet të kalojë për të pasur sistem funksional të drejtësisë? A e meritojnë mundësinë për rinënshtrim gjykatësit dhe prokurorët që kanë rënë nga testi i etikës në herën e parë?
Për t’i diskutuar këto dhe të tjerat në lidhje me rrjedhën e këtij procesi, mysafirë të Edona Musës në studio janë:

Fejzullah Hasani, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës
Lirie Osmani, kryetare e Këshillit Gjyqësor të Kosovës
Ismet Kabashi, kryeprokuror
Kapllan Baruti, kryetar i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë dhe
Dastid Pallaska, jurist

Në kuadër të emisionit BIRN transmeton intervistën me liderin e lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në zyren e kësaj lëvizjeje, në mes të ditës, në kohën kur EULEX-i nuk mund ta gjejë atë.
Në kuadër të rubrikës Drejtësia në Kosovë, hulumtuesi Florent Spahija flet për mosekzekutimin e lëndëve gjyqësore.
Ndërsa, gazetari Muhamet Hajrullahu tregon për mosfunksionimin e komisionit për mbikëqyrje të financave publike e në rubrikën Kulmi i Javës, gazetarja Jeta Abazi sjellë kompaninë e sigurimeve që e ka përmbushur premtimin për pagimin e dëmit të një pale të dëmtuar.
Në fund të emisionit ndiqni pamjet nga festimi i dyvjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe rubrikën satirike Lamjet.