Jeta në Komunë - Mitrovicë

Dy vjet pasi ka marrë drejtimin e njërës nga komunat më të varfra të Kosovës, Mitrovicës, Agim Bahtiri ka dalë para Jeta Xharrës dhe asamblistëve komunalë për të dhënë llogari. Me Bahtirin, “Jeta në Komunë” nis xhiron rreth Kosovës.

Tri vjet më parë, pakkush në Mitrovicë kishte dëgjuar për Agim Bahtirin.

Por një vit më pas gjërat ndryshuan për “vite drite” për të.

Njeriu të cilin Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacolli e solli nga Holanda dhe e promovoi si një biznesmen që do t’ia heqë qafe varfërinë mitrovicasve, mori famën edhe përtej kufijve komunalë.

Paraqitjet e tij pompoze dhe premtimet e mëdha për qytetarët i dhanë atij famën që secili kandidat për kryetar komune do t’ia dëshironte vetes. Në javën e parë të dhjetorit të vitit 2013, Bahtiri e mori atë që deshi.

Mitrovicasit i dhanë besimin për ta drejtuar komunën e tash ia presin realizimin e premtimeve, duke i dhënë fund qeverisjes së tyre nga Avni Kastrati i PDK-së.

Kur janë bërë dy vjet nga koha kur ai ka marrë postin e kryetarit të komunës, Jeta Xharra dhe ekipi i saj i janë kthyer sërish komunave të Kosovës.

Kryetarët e komunave do të përgjigjen për ato që kanë bërë dhe nuk kanë bërë. Agim Bahtiri është i pari që ka dalë përballë për të dhënë llogari në kuadër të ciklit të emisioneve “Jeta në Komunë”.

Dy vjet më vonë, në gjysmë të mandatit, Bahtiri do të duhej të dilte para qytetarëve me 7500 vende pune. Por ai thotë se për këto dy vjet, ka krijuar 1300 vende pune.

Ai ka folur, argumentuar e polemizuar, sidomos me asamblistët e PDK-së të cilët pa dallim e kritikuan ashpër Bahtirin për mënyrën se si ka punuar që nga dita e parë e mandatit si kryetar.

“Zhvillimi ekonomik nuk mund të ndodhë për një ditë, por ai është proces”, thotë Bahtiri.

“Gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç kam paramenduar… Ka pasur bllokim, shantazh dhe këto janë arsyet pse kanë stagnuar projektet”, shprehet Bahtiri.

Për ta dëshmuar këtë, ai përmend një ngjarje të ditëve të para kur kishte marrë mandatin, kur kishte sjellë në Mitrovicë makinerinë për të hapur një fabrikë.

Por fabrika nuk u hap asnjëherë.

Tani Bahtiri ankohet se PDK-ja, partia nga e cila e kishte marrë qeverisjen e Mitrovicës, e ka penguar në realizimin e planeve ekonomike.

“PDK nuk më ka lejuar që të ma japin tokën në shfrytëzim. I kanë nxitur edhe qytetarët që të reagojnë. Saherë që kam pasur iniciativë për zhvillim ekonomik, PDK ka kundërshtuar”, thotë ai.

Por Rrustem Musa, asamblist i PDK-së, kundërshton shifrat dhe akuzat e Bahtirit.

Ai thotë se punësimi ndër vite, që nga ardhja e Bahtirit në krye të komunës ka rënë dhe “Mitrovica është varfëruar”.

“Ka qenë premtim megaloman ai për 15 mijë vende të reja të punës, ka luajtur me ndjenjat e popullatës”, thotë Musa.

“Të gjitha projektet për zhvillim ekonomik i kemi përkrahë, ndërsa për kompaninë që po e përmend Bahtiri, ajo nuk ka dalë në votim sepse kryetari është tërheqë”, shprehet ai.

Por Murteza Berisha, asamblist i LDK-së, kur flet për ardhjen e Bahtirit në krye të komunës, synon t’i sulmojë dy palë.

Ai thotë se Bahtiri erdhi në krye të komunës vetëm “për shkak të keqqeverisjes së PDK-së”.

Ndërsa Faruk Mujka nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se Bahtiri gjatë këtyre viteve të mandatit të tij është marrë më shumë me “politika të larta” së sa me çështjet ekonomike të qytetarëve.

Asambleja Komunale e Mitrovicës i ka 36 asamblistë. Prej tyre, vetëm 4 janë të Aleancës Kosova e Re, parti nga e cila vjen Bahtiri. Partia më e madhe në asamble është PDK-ja me 15 asamblistë, LDK ka 8 asamblistë, Vetëvendosje 3, AAK 2, PD 1, PTDK 1 dhe LPM 1.

Në qeverisjen lokale, Bahtiri ka 14 drejtori, që të gjitha të drejtuara nga meshkujt.

Asamblistët komunalë e kritikuan Bahtirin edhe për menaxhimin e mbeturinave në komunë.

Mujka i Vetëvendosjes, ironizoi me disa kontejnerë nëntokësorë që Bahtiri i ka vendosur nëpër qytet.

“Krejt Mitrovica është kthyer në një kontejner, kështu që nuk ka nevojë për kontejnerë nëntokësorë”, tha Mujka duke theksuar nevojën për ngritje të nivelit të pastërtisë dhe rregullit në qytet.

Bahtiri u pajtua me gjendjen e rëndë të komunikacionit dhe ‘uzurpimit’ të trotuareve nga veturat dhe lokalet.

Ai përmendi projektet për parkingje nëntokësore për të cilat premtoi se janë në projekt që të realizohen në të ardhmen.

Tash Bahtiri është në mes të mandatit.

Ai i ka edhe dy vjet për t’i bërë ato që ka premtuar.

Thotë se së shpejti do të vendosen tetë kompani në Zonën Ekonomike të Mitrovicës.

Por fjalët i ka më të buta.

“Është e vërtetë se nuk mundem t’i realizoj 15 mijë vende pune. Do t’i kisha realizuar sikur të mos kisha pasë pengesat që i kam pasë”, tha Bahtiri.