Mimoza Kusari- Lila, kryetare e komunës së Gjakovës/ Foto: Atdhe Mulla

Jeta në Komunë - Gjakova

Gjakova ka probleme të ndryshme por çështja e punësimit është ajo që mbizotëron në debatet me kryetaren e komunës, Mimoza Kusari- Lila.
Dy vjet më parë, në zgjedhjet lokale të vitit 2013, ajo kishte vendosur “të zbresë”në Gjakovë për t’i hyrë garës për kryetare të komunës kundër Pal Lekajt të AAK-së.
Në fakt, ekonomistja që kishte nisur karrierën në Prishtinë si zëdhënëse e qeverisë së parë legjitime të Kosovës së pasluftës, kontrollin e Gjakovës e kishte synuar edhe katër vjet më parë, në 2009, por qe ndarë me humbje pikërisht nga Lekaj.
Herën e dytë u tregua më e zonja në fushatë.