Ja Marrëveshja Kosovë- Serbi për Sigurimet e Automjeteve

Negociatorët e Kosovës dhe Serbisë, të shtyrë nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini, kanë arritur marrëveshjen e shumëpritur për njohjen e dyanshme të sigurimit të automjeteve, më 23 qershor, në Bruksel.

BIRN e ka siguruar një kopje të ‘memorandumit të mirëkuptimit’ të arritur ndërmjet Asociacionit të Siguruesve të Serbisë dhe Byrosë Kosovare të Sigurimeve, të lehtësuar nga Këshilli i Byrove, i cili rregullon sigurimet ndërkombëtare.

Marrëveshja do të hyjë në fuqi 30 ditë pas nënshkrimit të saj dhe përshkruan mbulimin e dyanshëm të veturave me targa serbe që hyjnë në Kosovë dhe anasjelltas.

Kosova nuk është anëtare e sistemit të kartonit të gjelbër, i cili mundëson pranimin e sigurimit të automjeteve në shumicën e hapësirës së Evropës.

Në të kaluarën, vozitësit që hynin në Serbi me veturat me targa të Kosovës duhej të paguanin 105 euro sepse shkalla minimale e pagesës së sigurimit ishte 1 muaj.

Ndërsa ata që hynin në Kosovë me targa të Serbisë duhej të paguanin nga 20 euro në javë deri në 80 euro në muaj.

Çështja e sigurimeve të automjeteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë temë e debatit sonte në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Për të diskutuar për këtë çështje, Jeta Xharra ka ftuar në emision:

Fatmir Gashi, zëvendës guvernator i BQK-së;
Rrahim Pacolli, delegacioni i Kosovës në Bruksel për kartonin e gjelbër;
Faton Abazi, drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS);
Vlora Obërtinca, drejtoreshë e fondit për kartonin e gjelbër në BKS; dhe
Besnik Nikqi, ekspert në lëminë e sigurimeve