Hetimet për Rrymë

Emisioni “Jeta në Kosovë” ka zbuluar se përveç arrestimit të tre zyrtarëve kosovarë të Agjencisë së Metrologjisë, lidhur me njehsorët e kompanisë “Kohler” që i përdor KEDS-i, autoritetet gjyqësore janë vënë në ndjekje të dy shtetasve turq.

Prokurori i rastit Hivzi Bajraktari kërkoi masën e paraburgimit edhe për Ali Torosoglu që mban pozitë menaxhuese në “Kohler” dhe Ali Akkan që mbajti pozitë të lartë në KEDS, por që të dy gjenden në arrati.

Bajraktari kërkoi nga gjyqi që të lëshojë urdhërarrest për kapjen e tyre.

Gjykata Themelore e Prishtinës më 4 maj të këtij viti lëshoi urdhërarrest për dy shtetas turq.

Gjyqi i dha të drejtë prokurorit që konkludoi se të dy shtetasit turq kanë lëshuar Kosovën në kohën e kur dyshohet se është kryer vepra penale.

Torosoglu, bazuar në vendimin e gjyqit, ka ende pozitë menaxhuese në Fabrikën “Kohler”, ndërsa Akkan ka punuar deri në shtator të vitit të kaluar në kompaninë KEDS në pozitën e zëvëndësdrejtorit të rrjetit.

Bazuar në vendimin e gjyqit ai në shtator të vitit të kaluar ka lënë Kosovën dhe banon në Turqi.

Bajraktari tha për “Jeta në Kosovë” se nuk dëshiron të komentojë shumë lidhur me rastin pasi që sipas tij ende është në fazën fillestare të hetimeve.

Ndërkohë KEDS-i nuk e sheh të arsyeshme të komentojë lidhur me këtë rast.

“Nuk kemi çka të diskutojmë për këtë temë”, tha Guri Shkodra, zëdhënës në KEDS, kur u ftua nga emisioni “Jeta në Kosovë” që të debatojë lidhur me këtë temë.

Sonte në “Jeta në Kosovë” do të diskutohet pos tjerash edhe për protestat e deritashme për faturat e larta të energjisë elektrike. Gjithashtu do të sqarohet se çfarë ka ndodhur realisht me njehsorët elektrikë. A ka pasur lexim të gabueshëm të këtyre njehsorëve? A ka fakte për korrupsion në këtë punë? Po ashtu do të diskutohet edhe për çmimin e tarifave të energjisë elektrike. Pse ka ankesa ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për mostransparencë e llogaridhënie?

Çfarë thonë avokatët e të pandehurve të zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë?

Mysafirë të ftuar në debat janë: Ali Sadrija – deputet i LDK-së,
Ymer Fejzullahu – nga ZRrE-ja, Ismet Mulaj – ish-ministër i Tregtisë,
Parim Olluri – nga Gazeta Jeta në Kosovë dhe
Naim Hoxha – nga  Lëvizja “Vetëvendosje”.

Jeta në Kosovë, sonte transmetohet nga ora 20:20.