Gazetari Muhamet Hajrullahu shpërblehet me çmimin e parë gazetaresk për mjedis

10 vjet pas, 130 familje të komuniteti rom, ashkali edhe egjiptas jetojnë në kushte katastrofale në dy kampe në veri të Kosovës, në Osterode dhe Ceshmin Llug, afër kompleksit Trepça. Këta qytetarë të Kosovës, jetojnë nëpër kampe të tilla nga viti 1999, kur janë zhvendosur nga mëhalla e romëve në Mitrovicën jugore dhe nga pjesë tjera të Kosovës.
Reportazhi fitues i gazetarit Muhamet Hajrullahut portretizon kushtet në të cilin jeton ky komunitet në zonë të kontaminuar me plumb. Përveç problemeve shëndetësore dhe përkundër thirrjeve që janë bërë për largimin e tyre nga kjo zonë, banorët romë vazhdojnë të jetojnë në kushte jo normale në qendër të Evropës, ndërsa askush nuk merr përgjegjësi për vendosjen e tyre në këto kampe.
Me qëllim të vetëdijesimit të publikut kosovar dhe komunitetit të mediave për aspektet sociale, ekonomike, kulturore dhe etike të gjendjes së mjedisit në Kosovë, ky çmim ndahet çdo vit nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, UNDP dhe Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, AGPK për gazetarin që tregon integritet profesional në mbulimin e çështjeve të mjedisit në media të shtypura dhe elektronike.
Reportazhi i plotë mund të shikohet këtu.
http://www.jetanekosove.com/advCms/#id=1274,6278166