Ferizaj

Kryetari aktual dhe kandidati për kryetar të Ferizajt nga PDK-ja, Agim Aliu, tha se nëse gjatë mandatit të tij gjashtëmbëdhjetëmujor është keqpërdorur vetëm një cent i parave publike, ai qysh tash do të tërhiqet nga gara.

Bashkim Fazliu i Nismës Qytetare për Ferizajn gjatë replikës së tij ndaj fjalëve të kryetarit tha se nuk është keqpërdorur vetëm një cent, por miliona, duke e cilësuar komunën si shkelësen më të madhe të ligjeve.

Por gjatë debatit të Jetës në Komunë, të mërkurën mbrëma në teatrin Adriana Abdullahu të qytetit, nuk u përballën vetëm kandidatët, por edhe simpatizantët e tyre në sallë, sidomos ata të PDK-së e LVV-së.

Kundërshtime të forta ndaj qeverisjes së Aliut shfaqën edhe Xhavit Zariqi i AAK-së dhe Bashkim Fazliu që garon për kryetar me Nismën Qytetare për Ferizajn, që më parë ishin pjesë e PDK-së.

Bashkim Fazliu la PDK-në në prill të vitit të kaluar, ndërsa Zariqi u largua nga kjo parti, pas dhjetë vjet qëndrimi në të. PDK-ja u themelua në tetor të 1999-ës.

Ferizaj me një popullsi prej mbi 108 mijë personash, është qyteti i tretë në Kosovë për nga numri i banorëve, ndërsa në vitin e ardhshëm do të ketë një buxhet prej më shumë se 23 milionë eurove.

Qytetarët i kanë borxh 6 milionë e gjysmë komunës për tatimin në pronë. Kandidatët u pyetën se si do t’i arkëtojnë këto mjete.

Derisa Agim Aliu tha se qeverisjet e PDK-së e kanë ngritur inkasimin e këtij tatimi, të tjerët treguan mënyra kryesisht teorike të shlyerjes së borxhit, duke thënë se qytetarët nuk e paguajnë këtë lloj tatimi, edhe për faktin, se nuk shohin që ato para t’u kthehen në investime për përmirësimin e jetës.

Më pas gjatë pyetjeve specifike, kryetari Agim Aliu u pyet se a e qeverisë ai komunën, apo deputeti Elmi Reçica. Aliu u përgjigj se ai është zot shtëpie, por nëpërmjet Reçiqës koordinohet me institucionet qendrore.

Drejtori i Ekonomisë dhe Financave, Faik Grainca, kur shpjegoi koston e projekteve kapitale të Ferizajt, gjatë verës për Gazetën Jeta në Kosovë, tha se 3.5 milionët që në këtë komunë do të investojë Ministria e Infrastrukturës, u bënë të mundura falë angazhimit të kryetarit Aliu dhe deputetit Reçica.

Ibrahim Hyseni i AKR-së u pyet për shtrimin e rrugës që çon drejt shtëpisë së tij dhe përfundon aty.

Hyseni që në periudhën 2007-2010 drejtoi drejtorinë komunale të Zhvillimit Ekonomik, në koalicionin e partisë së tij me PDK-në, tha se rruga nuk përfundon te shtëpia e tij, por aty ku nuk ka më shtëpi, ndërsa për t’u shfajësuar tha se ky projekt ishte i Ministrisë së Transportit.

Muharrem Svarqës së LDK-së iu kërkua shpjegim se pse nëpër tubimet elektorale po e përmende shpesh haraçin, ndërsa ai tha se është sekret publik që fituesit e çdo tenderi paguajnë dhjetë për qind të vlerës së tij, për ta marrë atë. Tha se këtë dukuri do ta çrrënjosë brenda njëzet e katër orëve.

Kandidatit të Partisë së Drejtësisë iu shtrua pyetja se sa e njeh Ferizajn, pasi nga 2001 nuk ka qenë në këtë qytet. Ardian Serjdiu tha se qytetin e njeh mjaftueshëm për ta qeverisur.

Xhavit Zariqin, njeriun që ndërroi PDK-në për AAK-në, moderatorja e pyeti se ku do ta shohin pas AAK-së, ndërsa Zariqi u përgjigj se me AAK-në do të jetë në komunë, si kryetar.

Ibrahim Hyseni i AKR-së u zu ngushtë kur iu përmend një ndërtesë pa leje që në Ferizaj e ka ndërtuar zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, anëtar i kësaj partie. Hyseni tha se kundër zyrtarëve të AKR-së nuk është zhvilluar asnjë proces gjyqësor.

Kandidati i LDK-së Muharrem Svarqa bëri thirrje që të ndryshohet imazhi i politikanit me procese gjyqësore të hapura, imazhi i politikanit që ikë jashtë vendit nga drejtësia, imazhi i politikanit që udhëheqë fushatën nga burgu, ndërsa kandidati i Iniciativës Qytetare të Ferizajt, Bashkim Fazliu, tha se i ka hyrë garës për të sjellë dritë në fund të tunelit.

Në debat u fol për ndërtimet pa leje, pompat e benzinës në brendësi të qytetit, e pranë shtëpive, deponitë ilegale të mbeturinave dhe dukuri tjera shqetësuese.

Në Ferizaj ka 1 mijë e 300 objekte pa leje dhe disa pompa benzine nëpr lagje.

Kryetari Agim Aliu u desh ta shpjegojë edhe një herë prerjen e 50 drunjve rreshtorë nga qendra e qytetit, për t’i krijuar hapësirë rregullimit të saj. Ai këtë e quajti të ligjshme, derisa kundërkandidatët reaguan ashpër duke e cilësuar veprim të njëanshëm të kryetarit që nuk hyn në kompetencat e tij.

Për prerjen e këtyre drunjve, Bashkim Fazliu ka ngritur kallëzim penal kundër kryetarit Aliu në Gjykatën Themelore të qytetit, për të cilin veprim Gazeta Jeta në Kosovë shkroi në tetor.

Kandidati i AKR-së Ibrahim Hyseni, pjesë e koalicionit qeverisës në komunën e Ferizajt, tha se këtë projekt të rregullimit të qendrës e kanë votuar edhe AAK-ja e LDK-ja, përveç PDK-së e AKR-së. Kandidatët e partive opozitare në asamblenë komunale të Ferizajt, thanë se projekti nuk parashihte prerjen e drunjve.

Kandidati i LVV-së Faton Topalli tha se rregullimi i qendrës së qytetit, i nisur më 15 qershor ishte thënë se do të kryhej për 48 ditë, që i bie deri në fillim të gushtit. Punët në qendër janë duke vazhduar edhe tash kur po i afrohemi fundit të tetorit.

Projektet e Ferizajt sipas hulumtimeve të Gazetës Jeta në Kosovë dhe organizatave të specializuara për mbikëqyre të nivelit lokal të qeverisjes, kanë tejkaluar shumat e parapara buxhetore dhe kryesisht janë vonuar.

Edhe për kandidatët e Ferizajt folën familjarët e tyre. Dy nga gratë e kryetarëve, ajo e kandidatit të AKR-së dhe e atij të Partisë së Drejtësisë thanë se paratë që i fitojnë burrat e tyre i mbajnë ato.