Faik Ispahiu

Faik Ispahiu ka punuar në produksione multi-mediale dhe zhvillim të mediave prej se është diplomuar si Regjisor në Universitetin e Prishtinës.

Ai ka punuar për disa organizata, përfshirë programin për media të IREX-it në Kosovë, ministrinë e komuniteteve, ka marrë pjesë në lansimin e stacionit televiziv Kohavision, ka menaxhuar tri edicionet e para të festivalit ndërkombëtar të teatrit Kosova Infest, ka punuar si asistent personal i Lt.Gen. Mike Jackson (komandantit të parë të KFOR-it), ka themeluar rrjetin e parë të radio stacioneve në Kosovën e pasluftës CERPIK, etj.

Gjatë karrierës së tij, Ispahiu ka ndihmuar themelimin dhe zhvillimin e një numri të madh të mediave elektronike dhe ka organizuar trajnime në radio dhe TV produksion në Kosovë dhe më gjerë. Këto trajnime kanë përfshirë numrin më të madh të mediave, gazetarëve dhe producentëve kosovarë.

Shfaqjet e teatrore në regji të Ispahiut gjithmonë janë përcjellur me bujë dhe interesim të madh të publikut për shkak të aktualitetit, kreativitetit, guximit artistik dhe mënyrës së trajtimit dhe artikulimit të problemeve të shoqërisë kosovare.

Ispahiu tani është drejtor i Internews Kosova, organizatë jo-qeveritare që është anëtare e Internews International që merret me zhvillim dhe përkrahje të mediave të pavarura.

Ispahiu është regjisor dhe producent ekzekutiv i debateve televizive “Jeta në Kosovë”.