Dragash

Ky shkrim është publikuar fillimisht më: 25.10.2013

Kandidatet për kryetar të komunës së Dragashit e akuzuan kryetarin aktual të komunës së Dragashit për korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe menaxhim te keq të komunës. Ndërsa kryetari aktual dhe kandidati për kryetar të  komunës nga PDK- ja Salim Jonuzaj, u mundua që të mbrohet nga akuzat.

Garës për kryetar të Dragashit i kanë hyrë tetë veta, ndërsa vetëm shtatë ishin pjesë e Emisionit Jeta në Komunë të zhvilluar të martën mbëma. Safet Kushi nga Iniciativa Boshnjake CDU nuk mori pjesë në debat.

Përveç Kushit, kandidojnë edhe Bledi Kurtishi nga Vetëvendosja, Fatmir Mehmeti nga LDK-ja, Nexhat Isufi nga Bashkimi Demokratik, Nuhia Tairovci nga VAKAT, Salim Jonuzi nga PDK-ja, Selami Sait nga AAK-ja dhe Xhevxhet Tahiri nga Balli Kombëtar

Në dy minutat e parë, kandidatët shpalosën programin e tyre për komunën e Dragashit, ku të gjithë premtuan sigurimin e ujit të pijes, rregullimin e infrastrukturën rrugore, përmirësimin e gjendjes në arsim, zhvillimin e turizmit, por të gjitha këto ishin premtime pa mbulesë, pasi askush nuk përmendi mjete të siguruara për këto premtime.

Replika më së shumti kishte në mes kandidatëve të LDK-së, Ballit Kombëtar, Bashkimit Demokratik dhe PDK-së, ndërsa më i heshturi ishte Nuhia Tairovci nga VAKAT.

Mbeturina në qendrën e biznesit

Salim Jonuzaj nga PDK-ja, thuri lëvdata për qendrën e biznesit që e ka krijuar në Dragash, por mbeti pa fjalë, kur moderatoria ia kujtoi se ajo është mbushur me mbeturina, ndërsa nuk pati përgjigje se kur do të hiqen ato.

Fatmir Mehmeti nga LDK-ja, tha se Salim Jonuzaj, mundet të mburret vetëm që në qendrën e biznesit e ka shtuar edhe një deponi ilegale, pasi Komuna e Dragashit e ka edhe problemin e deponive të tilla, pasi këtu ekzistojnë 20.

Edhe kandidati i Ballit Kombëtar, u zu ngushtë si ai i PDK-së, kur e pranoi se nuk ia paguan qiranë për parking dhe treg komunës, ngase është në kontest me pushtetin komunal të qytezës. Xhevxhet Tahiri i BK-së shfrytëzon parkingun që dhjetë vjet, një gjë që shkaktoi polemika.

Salim Jonuzi u vu edhe një herë në siklet kur u pyet se a ishte i moralshëm kandidimi i tij për kryetar komune, kur kundër tij është ngritur aktakuzë për shpërdorim detyre.

Jonuzi tha se ndihet i pafajshëm për akuzat që i ngarkohen. Përveç që nuk paguan për hapësirat që shfrytëzon në treg e parking, kandidati i Ballit… Xhevxhet Tahiri tregoi se nuk e paguan as tatimin në pronë, kur u pyet se si do të inkasonte borxhet e shumta të qytetarëve për këtë tatim.

Tahiri premtoi se do ta paguajë borxhin e tij, nëse zgjidhet kryetar i komunës.

Edhe Selami Saiti nga AAK-ja tregoi se ka ndihmuar bashkëqytetarët, duke i futur pa rend në spitalin e Prizrenit, kur ata kanë ardhur që të kontrollohen nga Dragashi.

Selami Saiti punon në Repartin e Radiologjisë të Spitalit “Daut Mustafa” në Prizren.

Në debat u diskutua edhe për problemet tjera, si dhuna në shkollat e Dragashit dhe pjesëmarrja e ulët e femrave në arsim e punësim, ku të gjithë premtuan zgjidhjen e këtyre problemeve.