Borgjet Milionëshe të Komunave

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri nga LDK-ja, i cili e la në opozitë Ali Berishën nga AAK-ja, që qeverisi deri në vitin 2013 me Pejën, thotë se po e ka problem t’i realizojë projektet e premtuara gjatë fushatës, për shkak të borxheve të mëdha, të cilat paraardhësi i tij ia la si barrë.

Janë mbi 2 milionë euro që Komuna e Pejës i ka të trashëguara.

Muhaxheri gjatë debatit në Jeta në Kosovë u përplas me paraardhësin e tij, Ali Berisha lidhur me këto borxhe. Ai thotë se shumica e borxheve kanë ardhur më muajt e fundit të fushatës zgjedhore.

“Së pari duhet t’i kesh paratë për ta nisur një projekt”, tha Muhaxheri. “Këto mjete nuk kanë qene të planifikuara dhe janë bërë për fushatë zgjedhore”, shtoi ai.

Ndërsa Ali Berisha, i cili deri në vitin 2013 mbante pozitën e të parit të Pejës, e mohon borxhin. Ai thotë se nuk ia la mbi 2 milionë borxhe pasardhësit të tij.

“Nuk është e vërtetë që Komuna e Pejës i ka 2 milionë borxhe të trashëguara”, tha ai. “Peja është në një gjendje jo shumë të keqe me borxhe, në krahasim me komunat tjera në Kosovë”, shtoi Berisha.

Ndërkohë ka kryetarë komunash që kanë kërkuar që qeveria t’ua paguajë borxhet e trashëguara.

“Si pasojë e keqmenaxhimit nga investimet kapitale, kemi trashëguar një shumë borxhi 1.520.529 euro si borxhe të pambuluara”, i kishte  thënë ndër të tjera kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa, Gazetës “Jeta në Kosovë”, duke thënë se këto borxhe do t’ia dërgojë qeverisë.

Në anën tjetër, Ish-drejtori i Ekonomisë dhe Financave të Ferizajt, Mustafë Grainca e pranon se i kanë lënë borxh qeverisjes së tashme të Ferizajt. 

“Çdo organizatë buxhetore sikurse komuna, e përmbyll vitin me borxhe, edhe komuna e Ferizajt e ka përmbyllur vitin 2013 me borxhe, të cilat edhe ligjërisht mund të barten në vitin 2014”, i ka thënë ai kohë më parë gazetës Jeta në Kosovë.

Por Ministria e Financave e ka një përgjigje për këtë çështje.

“Ministria e Financave nuk i ka fajet për këtë punë, komunat janë ato që menaxhojnë me buxhetet komunale”, tha Petrit Popova, drejtori i Departamentit të Buxhetit Komunal nga Ministria e Financave. 

Edhe Agron Demi nga Insituti GAP, tha se borxhet e trashëguara krijojnë telashe për qeverisjet aktuale. Ai tha se zakonisht këto borxhe po krijohen në ato vite kur po ka zgjedhje.

Për më tepër, komuna e Gjakovës ka borxh të trashëguar mbi 5 milionë, Lipjani afro 7 milionë, Gjilani mbi 4 milionë, Peja afro 2.5 milionë, Vitia afro 300 mijë euro dhe komuna e Novobërdës mbi 46 mijë euro. 

Pas debatit ndiqeni reportazhin hulumtues që flet për mënyrën e avancimeve të stafit akademik në Universitetin Publik të Prishtinës.

Më konkretisht reportazhi flet për avancimin e pesë dekanëve të fakulteteve të ndryshme. Si ndodhi që komisionet recensuese i vlerësuan punimet e tyre  me vlerën e “Impakt Factorit”, përderisa ato nuk ishin të tilla. Pse komisionet vlerësuese thotë se nuk kanë përgjegjësi për të treguar se ku i kanë botuar punimet shkencore kandidatët, përderisa në formular precizohet qartë se përgjegjësia është e komisionit.

Cilat janë kundërthëniet mes Statutit të UP-së, Ligjit për Arsimin e Lartë dhe formularit me të cilin janë vlerësuar kandidatët për avancime shkencore?

Çfarë përjetoi Agron Millaku, një doktor shkence, i cili kishte doktoruar në Lubjanë të Sllovenisë, e të cilin UP-ja e refuzoi dy herë, madje herën e parë nuk e pranuan as si asistent? 

Pse ky person thotë se është skeptik që të aplikojë edhe herëve tjera në UP?

“Jeta në Kosovë” transmetohet çdo të enjte në 20:20 në RTK.