BIRN publikon analizën “Problemet dhe të metat e teksteve shkollore”


inside 1Analiza u promovua përmes një konference për media që u mbajt të premten, më 7 maj, në zyret e BIRN-it, në të cilën redaktorja e publikimit, Krenare Maloku dhe autori Jusuf Thaçi prezantuan të gjeturat kryesore të punimit.

Krenare Maloku tha se “këtë hulumtim e kemi filluar pasi që gjatë periudhës dy-vjeçare që kemi bërë monitorim të arsimit, BIRN ka marrë vërejtje dhe kritika të shumta për tekste shkollore nga mësimdhënësit, nxënësit, prindërit, si dhe nga ekspertët dhe njohësit e kësaj çështjeje”.

“Kjo ka qenë shkas që na ka shtyrë pastaj në një analizë të thellë të teksteve, hulumtim ky që ka zgjatur plot nëntë muaj”, vazhdon Maloku.

Problemet dhe të metat kryesore të teksteve që janë gjetur në këto tekste janë:  pasaktësitë e shumta shkencore; stërngarkesa e teksteve me informacione, fakte e shifra të tepërta; mosstimulimi i mendimit kritik; mospërdorimi i metodave bashkëkohore; mospërmbushja e një varg kërkesash didaktiko-metodike; prezenca e disa aspekteve dhe formave të diskriminimit, paragjykimit dhe stereotipeve gjinore, si dhe disa probleme përmbajtjesore.

Jusuf Thaçi, autori i analizës, duke prezantuar këto probleme, ndër të tjera tha se ”në mënyrën si tekstet shkollore janë shkruar, ato nuk stimulojnë fare mendimin kritik. Nxënësit mund të përfundojnë shkollën pa përdorë fare proceset intelektuale, por vetëm duke mbajtur mend dhe duke mësuar mekanikisht”.

inside 2Në konferencë morën pjesë përfaqësues të dhjetë medieve të Kosovës, si dhe pjesëmarrës të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Në fund të konferencës, BIRN u përgjigj në pyetjet e ngritura nga gazetarët e pranishëm.   

Analiza e publikuar ka për qëllim që në mënyrë objektive dhe të argumentuar të analizojë dhe të dokumentojë prezencën e disa problemeve në tekstet shkollore të Kosovës me synim final të përmirësimit dhe përsosjes së kualitetit të tyre përmes rekomandimeve konkrete të dhëna.

Analiza e plotë mund të shkarkohet këtu.


Ky publikim është pjesë e projektit të BIRN-it për Monitorim të shërbimeve publike i cili përkrahet nga Fondacioni i Vëllezërve Rokërfeller, Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, Fondacioni MOTT si dhe Ndihma Ballkanike për Demokraci.