BIRN mban trajnim për gazetari hulumtuese

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese është duke zhvilluar trajnimin dy-ditor mbi gazetarinë hulumtuese për gazetarët e mediave televizive dhe atyre të shtypit, si dhe për organizatat e shoqërisë civile që punojnë për të promovuar qasjen në dokumente zyrtare.

Gjatë trajnimit, BIRN publikoi doracakun e tij për raportimin hulumtues me bazë në dokumente zyrtare, Ndiqni Gjurmët Nëpër Letra, i cili përcakton se si të përdoret e drejta për qasje në dokumente zyrtare në Kosovë. Poashtu, ky doracak ofron këshilla praktike se si të përdoren mjetet e kërkimit për të gjurmuar nëpër faqet e internetit të qeverisë së Kosovës dhe burimeve ndërkombëtare të informacionit.

Sesionet e trajnimit ofruan teknika praktike hulumtuese të përdorura nga gazetarët e BIRN-it për hartimin e shumë storieve, temat e të cilave prekin çështje të rëndësishme rreth zhvillimeve në vend. Disa nga këto storie madje kanë nxitur hetimet nga ana e autoriteteve përkatëse në rastet kur dyshohej për korrupsion.

Në ditën e parë të trajnimit të mbajtur me 21 shkurt 2011, të pranishëm ishin 19 pjesëmarrës të cilët u trajnuan nga redaktori i BIRN-it, Lawrence Marzouk. Trajnimi do të vazhdojë ditën e premte, me 25 shkurt 2011.

Në fund të trajnimit, pesë gazetarë nga mediat televizive dhe pesë nga ato të shtypit do të pajisen me fonde për të shkruar një storie hulumtuese përmes këtyre teknikave, nën mbikëqyrjen e gazetarëve të BIRN-it, duke fituar kështu përvojë të drejtpërdrejtë në gazetarinë hulumtuese. Ky projekt është financuar nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.