BIRN anëtarësohet në Asociacionin Ndërkombëtar Arsimor të Debatit

BIRN u përfaqësua në takim nga menaxherja e programit, Krenare Maloku, e cila i tregoi Asamblesë së përgjithshme arsyet për anëtarësim si dhe e prezantoi misionin dhe programin e aktiviteteve.

Takimi i IDEA-së u zhvillua pas Forumit Rinor 2010, kampionat ky ndërkombëtar për debat dhe program arsimor për debat, i cili organizohet çdo vit nga IDEA.

Forumi Rinor i debati i mbledh së bashku qindra nxënës të shkollave të mesme nga mbarë bota që të konkurrojnë në stilin e debatit Karl Popper dhe debatit të parlamentit Britanez, si dhe ofron kurse për zhvillim të aftësive të debatit.

Këtë vit, Forumi Rinor u mbajt në provincën Zeeland, në Holandë, ku morën pjesë dhe dy ekipet kosovare të cilat ishin fitues të turneu kombëtar të debatit Karl Popper “Prishtina e Hapur 2010 Karl Popper.”

Tetë debatuesit dhe trajnerët nga Kosova ishin në mesin e 250 pjesëmarrësve nga 45 shtetet që gjithsej morën pjesë në Forumin Rinor të debatit 2010.

Pjesëmarrësit në forum debatuan rreth temës se a duhet shtetet ta parandalojnë importin e produkteve të prodhuara nga forca punëtore e fëmijëve dhe a duhet vallë të miturit në disa raste të gjykohen si të rritur.

“Debatuesit nga Kosova patën garë të suksesshme dhe një eksperiencë të shkëlqyer në forum, ndërsa e tërë ngjarja ishte një eksperiencë e mrekullueshme arsimore dhe mundësi për dialog ndërkulturor” tha Kushtrim Palushi, i cili ishte pjesëmarrës në forumin e debatit në cilësi të trajnerit.

Programi i debatit për nxënësit e shkollave të mesme nga Kosova drejtohet nga një koalicion OJQ-sh, ku përfshihet edhe Rrjeti Ballkanit i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, Lëvizja Fol, Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut, YIHR, Iniciativa për Progress, INPO, dhe Syri i Vizionit, SiV.

Që nga shtatori 2009, koalicioni ka themeluar tre klube për debat në Kosovë.

Si pjesë e këtij projekti, në shkurt të këtij viti u mbajt turneu kombëtar i debatit Karl Popper, ku 50 debatues nga Prishtina, Peja, dhe Ferizaj garuan në temën: ‘A duhet lejuar fëmijët të punojnë?’

Gjatë asamblesë të përgjithshme, IDEA njoftoi se vitin e ardhshëm Forumi Rinor 2011 do të mbahet në Stamboll, Turqi.

BIRN, bashkë me koalicionin e OJQ-ve, do të vazhdojnë me punën e tyre në zhvillimin dhe zgjerimin e programit për debat nëpër gjithë Kosovën duke iu ofruar mundësi nxënësve të shkollave të mesme t’i zhvillojnë aftësitë e tyre për debat, prezantim publik dhe aftësitë e të menduarit kritik, si dhe ta zgjerojnë dijen e tyre për çështje globale siç është mjedisi, puna e fëmijëve.