Albin Kurti e Fatmir Limaj në ‘Jeta në Kosovë’
Dy përfaqësues të partive opozitare në Kosovë- Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën- do të flasin sonte në emisionin Jeta në Kosovë rreth asaj se çka mendojnë të arrijnë me protestën e thirrur për të shtunën.
Jeta Xharra i ka intervistuar ndaras Kurtin dhe Limajn dhe i ka pyetur se si ata po mendojnë ta bëjnë “çkapjen e shtetit”.
Përveç kësaj, Albin Kurti përgjigjet edhe për largimin e ish ministrit serb në qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq dhe se a mendon ai se do të mund të ketë ndryshime në Kosovë pa dalë në protesta.
Kurti flet edhe për largimet e fundit nga Lëvizja Vetëvendosje, për Ajnishahe Halimin, si dhe për dhunën e përdorur nga drejtori komunal në Prishtinë, Liburn Aliu ndaj një asamblisti të PDK-së.
Ndërsa Limaj jep vlerësimet e tij se si janë kapur institucionet e Kosovës nga ShIK-u. Ai flet edhe për familjarët e tij të punësuar në RTK dhe PTK.
Emisioni “Jeta në Kosovë” transmetohet sonte në orën 20:05 në RTK, ndërsa repriza e emisionit do të jetë nesër (të premten) në mesditë.