Foto: KALLXO.com

Haki Abazi: Institucionet dështuan një nga një pas vendimit të GjND-së

Ish-aktivisti i shoqërisë civile, Haki Abazi, tha se sistemi diplomatik në vend gjatë 10 viteve të fundit ka shënuar regres të plotë.

Sipas tij, është krijuar një gjendje ‘alarmante’, për shkak të mos njohjeve të pavarësisë dhe të deklarimeve të disa shteteve për tërheqjen e njohjes.

“Fatkeqësisht është që lidershipi politik dhe regresi radikal që ka ndodhë në Kosovë në 10 vitet e fundit ka bërë që politika e jashtme jo që të jetë kaotike por të jetë inekzistente. Prej krejt këtyre shteteve që na kanë njohur, unë nuk e di një marrëveshje bilaterale që ka shku përtej njohjes dhe dhënies së letrave kredenciale”, tha Abazi në emisionin ‘Debatpernime’.

Ai deklaroi së qeverisja LDK-PDK i është nënshtruar dialogut pa parime, që sipas tij e kanë ‘gërryer’ sistemin diplomatik dhe e kanë lënë në “mëshirën e vendimeve ministrave dhe njerëzve që e kanë pa dialogun si të vetmen formë për të mbetur relevant në politikën kosovare”.

“Në momentin kur u bë Kosova shtet, u bë GjND edhe e konfirmoi Kosova që nuk e ka shkelur rezolutën 1244 as kornizën kushtetuese, ligjin ndërkombëtar dhe e drejta për vetëvendosje erdhi në vendimin e Gjykatën Ndërkombëtare, aty ishte testi i institucioneve të Kosovës të cilat dështuan një nga një, asnjë letër e vetme nuk i ka shku sekretarit Ban Ki Moon se pse nuk duhet të fillojë dialogu pavarësisht nga kush është sponsuruar”, tha Abazi.

“E gjithë makineria kundër funksionalitetit të Kosovës është ndezur në  momentin kur Crisis Group  e udhëhequr nga Louise Arbour ka bërë një deklaratë që shkëmbimi i territoreve është opsion, aty ka dështu tërësisht diplomacia kosovare. Këtu ka dështu edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e cila nuk e bërë aksionin e kundërt dhe e iu është nënshtruar që më vonë në kuadër të qeverisë dialogut pa parime”, u shpreh ai.

Ndërkaq, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni reagoi duke i quajtur konstatime të pabazuara të Haki Abazit.

Hyseni demantoi duke thënë së sekretari Ban Ki Moon ka marrë letër pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, përfshirë këtu edhe ministrat e Jashtëm që e kanë njohur dhe ato që së kanë njohur vendin.

“Në letrën e dërguar sekretarit të përgjithshëm kërkohet në mënyrë eksplicite zëvendësimi i rezultues 1244 me një rezolutë të re që e konstaton përfundimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë. Në të njëjtën letër thuhet së Kosova është e gatshme që të bisedojë më Serbinë për çështje të interesit të ndërsjellë dhe asnjëherë Kosova nuk pranon që të futët në dialog më Serbinë jashtë bazës ‘shtet me shtet’, u shpreh ai.

Në emisionin #debatpernime në ZgjidhjeparaZgjedhjeve po diskutohet për politikën e jashtme, integrimet edhe sigurinë.

Sonte: Debati për politikën e jashtme dhe sigurinë