Vdekja e pahetuar në Prizren

“Drejtësia në Kosovë”, sjell rrëfimin ekskluziv të Sadik e Besnik Bytyqit, prindërve të dy fëmijëve të cilët humben jetën më 16 qershor 2015 në gropat e mbushura  me ujë në afërsi të fabrikës së tullave në Landovicë.

Hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë” ju sjell faktet se si prokuroria dhe policia për muaj të tërë nuk kanë arritur të zbardhin shkaktarët që quan në vdekjen e Leotrim e Leonard Bytyqit, të cilët kishin humbur jetën në gropat e mbushura me ujë.

Të gjeturat nga hulumtimi i ekipit të “Drejtësia në Kosovë”, tregojnë për një neglizhencë totale të organeve të ndjekjes për të zbardhur rastin e vdekjes së dy fëmijëve, njëri  nëntë dhe tjetri 11 vjeçar.

Rrëfimi i prindërve tregon se policia dhe prokuroria, atyre u kishte thënë se rasti ishte i përfunduar dhe se nuk kanë arritur të gjejnë asnjë të dyshuar për hapjen e gropave të thella ku përfunduan dy fëmijët.

Hulumtimi tregon se policia për muaj të tërë kishte qenë në pritje të prokurorisë për të zhvilluar hetimet, ndërsa prokuroria i vë fajin policisë për mosvazhdimin e hetimeve.

Të gjeturat tregojnë për dyshimet që prindërit e fëmijëve i kanë në organet e ndjekjes, pasi prokurori i rastit nuk ka urdhëruar dërgimin e fëmijëve në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të zbardhur shkaktarët e vërtetë të vdekjes së tyre.

Të gjeturat në terren nga ekipi i “Drejtësia në Kosovë” dëshmojnë se prona shoqërore e cila menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit është shfrytëzuar ilegalisht nga palë të treta duke përfshirë edhe fabrikën e tullave “I.M.N. Tulltorja” dhe se për këtë AKP-ja nuk ka qenë në dijeni, madje as edhe ku janë pronat e saj.

Po ashtu “Drejtësia në Kosovë”,  ju sjell edhe deklaratat e menaxherëve të kompanisë “I.M.N Tulltorja” të dhëna në polici, ku shihet se ata vetë e kanë pranuar se nuk kanë pasur licencë për shfrytëzimin e dheut në vendin ku vdiqën dy fëmijët e familjes Bytyqi. Dhe për këtë as policia, as prokurori nuk kishin filluar ndjekjen penale, edhe pse dy prej katër zyrtarëve të fabrikës së tullave  e kanë pranuar se nuk kanë pasur licencë për eksploatim të dheut në zonën ku ndodhi tragjedia.

Në fund të emisionit, “Drejtësia në Kosovë” transmeton Rubrikën “Policia” ku do të shfaqet aksioni i policisë për kontrollimin e veturave.

“Drejtësia në Kosovë” transmetohet çdo të premte nga ora 21 e 20 në RTK, ndërsa do të reprizohet të hënën në mesditë.