Të gjeturat kryesore të BIRN dhe IK nga procesi i monitorimit, gjatë muajit gusht

Çertifikatat e pa-unifikuara të lëshuara nga Gjykatat e Kosovës BIRN ka krahasuar një numër çertifikatash të lëshuara nga gjykatat komunale të Kosovës, të cilat funksionojnë nën autoritetin e njëjtë, atë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Disa nga çertifikatat e lëshuara, të cilat nevojiten, ndër të tjera, për të aplikuar për vizë, kanë mangësi serioze meqë japin informata të ndjeshme si nëse personi ka të kaluar kriminale ose jo. Informata të tilla duhet, në teori, të verifikohen vetëm nga Departamenti Policor. Kreu i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, konfirmon që çertifikatat duhet vetëm të vërtetojnë nëse personi është nën hetime dhe natyrën e padisë. Për më tepër, Prokurorja Publike e Mitrovicës, Vahide Bunjaku, thotë se informatat që jepen shkelin të drejtat e njeriut, meqë duhet të ketë dallim mes çertifikatave kur një person është nën hetime apo është i shpallur fajtor. Edhe pse ka pasur bisedime mbi unifikimin e çertifikatave, asnjë marrëveshje nuk është arritur deri më tani. Mirëpo, kreu i Gjykatës Supreme të Kosovës ka premtuar një mbledhje në muajt në vijim.